Viti 2024 ishte i pesti që Qendra “Faktoje” monitoroi performancën e transparencës dhe mbajtjen e premtimeve në 10 institucione të pushtetit vendor në Shqipëri në kuadër të projektit “40 Premtime, 10 Bashki” mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Bashkitë e monitoruara janë: Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Dibra, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.
Analiza ka treguar se nga 40 premtime të verifikuara për këto 10 bashki, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 14 janë përmbushur pjesërisht, ndërsa 21 premtime nuk janë realizuar. Kjo do të thotë se 52% e premtimeve të monitoruara kanë mbetur të pambajtura.
Bashkitë me performancën më të lartë për transparencën janë: Shkodra dhe Lezha, të cilat kanë arritur 100% në përmbushjen e kërkesave ligjore për transparencën. Dibra dhe Durrësi janë afruar me një rezultat prej 93.73%. Nga ana tjetër, Bashkia e Fierit ka shënuar performancën më të ulët, me një nivel transparence prej 43.75%.
Raporti vë në dukje se 7 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë realizuar konsultime publike për hartimin e buxhetit, por vetëm 8 nga to kanë publikuar buxhetin vjetor. Performanca është më e dobët në lidhje me konsultimet publike për paketën e taksave dhe tarifave vendore, me vetëm 6 bashki që kanë zhvilluar konsultime të tilla. Po ashtu, transparenca mbetet e ulët në lidhje me publikimin e vendimeve dhe urdhrave të kryetarëve të bashkive; vetëm 4 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë publikuar këto dokumente.
Monitorimi i kryer nga gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile ka për qëllim matjen e nivelit të transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri, nxitjen e ndarjes së informacionit me publikun dhe rritjen e llogaridhënies lidhur me proceset e vendimmarrjes dhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve. Premtimet janë monitoruar duke përdorur një metodologji që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurorimit publik dhe vëzhgimet në terren. Disa nga indikatorët kryesorë të transparencës janë: programi i transparencës, konsultimi publik dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.
Gjatë 5 viteve të fundit, bashkitë në Shqipëri kanë bërë hapa përpara në rritjen e transparencës, duke publikuar programet dhe duke ndarë më shumë informacion me qytetarët. Megjithatë puna çalon kur bëhet fjalë për mbajtjen e premtimeve të kryebashkiakëve pas fushatave elektorale.
Në kuadër të projektit “40 Premtimet, 10 Bashki”, Qendra “Faktoje” ka monitoruar performancën e transparencës në 21 institucione të pushtetit vendor në Shqipëri. Ky projekt është mbështetur nga National Endowment For Democracy (NED).
Për periudhën 2019-2024, “Faktoje” ka verifikuar 135 premtime të bëra prej kryebashkiakëve nga veriu në jug të vendit. Analiza tregon se 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.
Bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës kanë shënuar rezultatet më të mira në përmbushjen e premtimeve, duke rritur gjithashtu nivelin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. Ndërkohë bashkitë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës mbeten sfiduese në këtë aspekt. Monitorimi ka treguar se kryebashkiakët e këtyre bashkive kanë dështuar në përmbushjen e një numri të konsiderueshëm premtimesh, kryesisht në lidhje me infrastrukturën dhe shërbimet publike.
“Faktoje” është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fast Checking Network (IFCN) si dhe European Fact Checking Network (EFCSN).
