Nga Qamil Gjyrezi
Kultura ilire u formua me tiparet e saj karakteristike që e dallojnë nga kulturat e popujve fqinjë në periudhën e zhvilluar të epokës së hekurit. Ajo ishte një kulturë autoktone që u krijua në truallin historik të ilirëve, në procesin e formimit të vetë etnosit ilir, mbi bazën e zhvillimit të brendshëm social-ekonomik të shoqërisë ilire dhe pa dyshim edhe të marrëdhënieve me popujt fqinjë. Tiparet themelore të saj janë shprehur në arritjet më të rëndësishme të ilirëve në fushën e zhvillimit të tyre ekonomik e shoqëror, në mënyrën e të jetuarit dhe të kuptuarit të botës që i rrethonte, në mënyrën e të pasqyruarit të kësaj bote në artin e botëkuptimin e tyre.
Niketë Dardani 340-414 ishte muzikant i shquar, dijetar, filozof dhe pedagog ilir, ishte ndër të parët kompozitor i cili shkroi shumë vepra të ndryshme si ato laike dhe fetare. Niketë Dardani (340 – 414), njihet si autori i “Te Deum” hymnit bazë dhe simbol të krishtërimit. Ky artist nga Dardania është një nga emrat e parë të historisë kulturore të krishtërimit dhe një nga themeluesit e kësaj kulture. Etnomuzikologu Ramadan Sokoli, në librin e tij argumenton kontributin e kesaj figure të shquar shqiptare të artit kishtar mesjetar. Niketë Dardani, i njohur ndryshe si Niketa i Ramesianës, lindur rreth vitit 340 në Ramesianë të Dardanisë.

Niketë Dardani ishte personalitet poliedrik, teolog, vjershëtor, muzikant, mik i afërt i Aurel Ambrozin. Niketë Dardani emërohet në moshën 26 vjeçare Ipeshkëv i Ramesianës (Bela Palanka ne Serbine e sotshme). Vepra e tij sipas Ilir Secit më e njohur është himni “Te Deum Laudamus”, i përhapur në Europë më 525, dhe mbi të cilin kanë shkruar muzikë kompozitorë të tillë si G.B.Lulu, G.F.Haendel, J.S.Bach, W.A.Mozart, F.Schubert, G.Verdi, G.Mahler, etj. Koha që e ndan këtë artist nga pasuesit e tij është një hendek shekullor që thellohet në terrin e “Dark Age”, ku nga trashgimia jonë humbën shumë vlera të ndërtuara në mijëvjeçarë.
Ka gjasa se është ky ipeshkev qi pagëzoi fisin trakas të Besseve, paraardhës te shqiptarëve, simbas hulumtimit të filologut e dijetarit gjerman Gottfried Schramm, i cili në 1994 botoi një liber me këtë temë: “Pagëzimi i Besseve si zanafillë e krishtërimit ndër shqiptare”.
Niketë Dardani ose Shën Niketa i Remesianës është nderuar si shenjt nga Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse. Ai konsiderohet si një nga etërit themelues të Kishës Ortodokse romane dhe festa e tij është caktuar 22 qershori së bashku me shenjtin Paulin i Nolës.
Niketa simbolizonte Perëndimin
Profesor Edmond Buharaja në librin: ‘Niceta i Remesianas-s, teomuzikozofia tij në kulturën Niciane’, botuar nga Akademia e shkencave të Shqipërisë në vitin 2018, shkruan në kopertinën e librit: “Pothuajse të gjithë studiuesit e veprës së Niceta-s bien dakord ato nuk kanë karakter spekulativ në synimin e zhvillimit të idesë kristiane dhe kjo ndoshta edhe se ishte i vetëdijshëm që shkrimet e tij i drejtoheshin njeriut të thjeshtë dhe profan, e jo eruditëve të besimit të Krishterë. Prodhimi i tij teologjik na shfaq një shenjtor të frymëzuar nga zelli apostolik. Në një realitet gjeografik të tëhequr forcërisht prej shekujsh për nga lindja dhe që do të ishte për më shumë se mijëvjeçar e gjysmë subjekt i Perandorisë Romake të Lindjes, apo akoma më tutje i asaj otomane, Niceta rezulaton të jetë i pari, ndër teaologët ilirë/dardanë që do të shfaqë hapur mendësinë dhe prirjen dukshmërisht latine dhe romane e cila asokohe simbolizonte atë që sot quhet: Perëndimi”.

