Nga Shkodra ku ishte i pranishëm për një promovim libri, zëvendëskryetari shqiptar i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj foli mbi situatën e fundit politike në shtetin fqinj. Tensionet mes qeverisë dhe opozitës nuk do të kenë ndikim sa i përket orientimit pro-perëndimor të vendit dhe rrugës drejt integrimit në Bashkimin Europian, u shpreh Camaj, njëherazi edhe deputet i Forumit Shqiptar në Malin e Zi.
Në vijim, Camaj tha se përfshirja e shqiptarëve në qeverisjen aktuale të Malit të Zi garanton më shumë zbatimin e atyre të drejtave që janë fituar ndër vite. Një situatë shqetësuese për Malin e Zi mbetet mosmiratimi akoma i buxhetit të shtetit por zëvendëskryetari i parlamentit, Nikollë Camaj foli me optimizëm rreth zgjidhjes së këtij ngërçi brenda pak ditëve.
