“Aromë Hungarie” ishte ekspozita që u çel këtë të enjte në hollin e Bashkisë Shkodër, e autorit Roland Tasho. Të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite qenë kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe ambasadorja e Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik.

Gjatë fjalës së tij në hapjen e ekpozitës, përveç vlerësimit për autorin, kryebashkiaku Benet Beci vendosi theksin tek bashkëpunimi mes Shkodrës dhe Hungarisë në fushën e turizmit dhe të kulturës.

Nga ana e saj ambasadorja e Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik, u ndal tek hapat konkretë të bashkëpunimit mes Shkodrës dhe Hungarisë, kryesisht në fushën e turizmit dhe të bizneseve hungareze me ato shkodrane.

Fjala e ambasadores hungareze, Martina Kasnyik

“Jam e lumtur që jam sot këtu për të hapur këtë ekspozitë, por në asnjë moment nuk mund të harroj hapësirat e tjera të bashkëpunimit me Bashkinë Shkodër. Një prej bashkëpunimeve kryesore është ai për turizmin por edhe për agrikulturën dhe industrinë ushqimore. Ambasada po bën gjithçka është e mundur në rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve hungareze me ato të territorit të Bashkisë Shkodër.”

Për autorin Roland Tasho, ky është një rikthim në Shkodër nga i cili ai ka ngelur i befasuar me zhvillimet pozitive për kryeqendrën e veriut.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në hollin e Bashkisë Shkodër duke përcjellë momente dhe imazhe të kryeqytetit hungarez ndërthurur me punonjës të ambasadës hungareze teksa shfaqen të fotografuar me veshje popullore shqiptare.