Në Bibliotekën Shkencore të Shkodrës u promovua këtë të martë libri “Porosia e kullës” e autorit Pashko Camaj në kuadër të programit “Identitet dhe multikulturalizëm”. Vepra është një autobiografi e historisë së emigrimit drejt realizimit të ëndrrës amerikane. Vetë autori synon që mesazhin e librit t’ja drejtojë të rinjve.

Të ftuar në panel ishin personalitete të fushës politike dhe akademike si: Nikollë Camaj, Elinda Dibra dhe Ledri Kurti.

Profesor Pashko Camaj, një ekspert i shëndetit publik është po ashtu edhe sekretar i Federatës panshqiptare “Vatra” në Amerikë. Ai tregon mbi qasjen e të rinjve shqiptarë dhe aderimin e tyre pranë këtij klubi.

Pashko Camaj ka lindur në vitin 1964 në Malin e Zi ku përfundoi arsimin e mesëm dhe më vonë emigroi në SHBA nëpërmjet Meksikës. Camaj ka botuar disa studime akademike të vlerësuara ndërsa kjo është vepra e tij e parë e këtij lloji.