Në të gjithë Shqipërinë u zhvillua në 18-19 janar Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, një ngjarje e rëndësishme për vlerësimin dhe monitorimin e popullatave të këtyre shpendëve gjatë dimrit.
Drejtoresha e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi tha për ATSH-në se “gjatë censusit u numëruan 61 specie të shpendëve të ujit, me një numër të përgjithshëm prej 112 516 individësh. Censi 2025 regjistroi përafërsisht 13 mijë shpendë uji më shumë krahasuar me Censin 2024. Si edhe 5 specie më shumë të identifikuara”.

“Për numrin e shpendëve, dy zonat më të rëndësishme të shpendëve ujorë janë:Vendi i parë Divjakë – Karavasta – 26 533 individë, vendi i dytë Liqeni i Shkodrës – 23 899 individë, për numrin e specieve, dy zonat më të rëndësishme të specieve ujorë janë: Vendi i parë Divjakë – Karavasta – 46 specie, Vendi i dytë Vjosë-Nartë – 39 specie”, tha Pirushi.

“Çdo vit vërehet një rritje e numrit të shpendëve ujorë dimërorë. Një përmirësim falë krijimit të kushteve më të favorshme për shtimin e këtyre shpendëve dhe kjo ka forcuar ekosistemet natyrore të vendit dhe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mirëmbajtjen e ekuilibrave ekologjikë dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në nivel kombëtar”, tha Pirushi.
Sipas saj, ky cens ka një rëndësi të jashtëzakonshme për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve natyrore dhe biodiversitetit të Shqipërisë.

Ky aktivitet u realizua nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe specialistë të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, ekspertë ornitologë të drejtuar nga profesor Taulant Bino dhe vullnetarë, të cilët u vendosën në 34 pika të përcaktuara për numërimin e shpendëve, për të realizuar një studim të jashtëzakonshëm që ka përfshirë Shqipërinë për 32 vjet me radhë.
Për dy ditë, 120 specialistë nga 12 Administrata të Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët zhvilluan një monitorim të detajuar të popullatave të shpendëve, duke siguruar një vlerësim të plotë të popullatave të shpendëve ujorë.

Censusi i Shpendëve Ujorë Dimërues është një aktivitet shkencor që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e qëndrueshëm të habitateve natyrore dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit të pasur të Shqipërisë.
