Dëshmitë shkencore tregojnë se pronarët e qenve kanë gjasa të jenë më të shëndetshëm se sa një person pa kafshë në shtëpi. Një studim në Universitetin e Kembrixhit zbuloi se të pasurit e një kafshe çon në përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm që në muajin e parë të zotërimit dhe kjo gjendje e përmirësuar vijoi gjatë studimit dhjetë mujor. Pronarët e kafshëve duket se vuajnë më pak nga sëmundje të tilla si: dhimbjet e kokës, ftohjet dhe gripi.
Përfitimet shëndetësore nga mbajtja e një kafshe, veçanërisht një qeni, përfshijnë:
▪️Qentë janë “makineri” të mrekullueshme stërvitjeje. Nëse nuk janë të vegjël, shumica e qenve kanë nevojë për të paktën disa shëtitje në ditë, të cilat ju mbajnë të dyve në formë.
▪️Përkëdhelja e një kafshe, ose thjesht të parit e një peshku teksa noton në akuarium, ju ndihmon të qetësoheni. Vetëm duke e parë një kafshë, ritmi i rrahjeve të zemrës mund të reduktohet dhe tensioni i gjakut të ulet.
▪️Hulumtimet tregojnë se mbajtja e një kafshe zvogëlon në mënyrë të konsiderueshme nivelin e kolesterolit dhe trigliceridit në gjak, dy yndyrna që mund të ndikojnë në sëmundjen e zemrës. Kjo mund t’i bëjë pronarët e kafshëve më pak të prirur ndaj atakut në zemër. Për më tepër, pacientët që zotërojnë një kafshë kanë shanse më të larta mbijetese, për më shumë se një vit pas atakut në zemër, një ndryshim që nuk mund të shpjegohet me stërvitjen shtesë që bëjnë normalisht, pronarët e qenve.
▪️Fëmijët që zotërojnë kafshë, shpesh janë më pak të fokusuar vetëm tek vetja.
▪️Personat me sëmundje psikike janë më të lumtur nëse kujdesen për një kafshë.
