Kjo e hënë ka shënuar një moment të rëndësishëm për Orkestrën Simfonike të Shkodrës, me nisjen e konkursit për instrumentistët e këtij formacioni, simbol i traditës muzikore të qytetit. Komisioni i përzgjedhur nga Bashkia Shkodër, i kryesuar nga dirigjenti Jetmir Barbullushi, ka dëgjuar të gjithë aplikantët, të cilët do të përzgjidhen bazuar në vlerësimet e këtij komisioni.
Kjo iniciativë, e cila përfaqëson një proces të ri për këtë orkestër, ka marrë mbështetjen e kryebashkiakut Benet Beci.
Sipas dirigjentit Jetmir Barbullushi, konkurimet janë një mundësi për të pikasur talente të reja që mund të bëhen pjesë e Orkestrës Simfonike të Shkodrës. Ai thekson se procesi bazohet mbi transparencën dhe profesionalizmin, duke hedhur poshtë çdo aludim lidhur me konkursin.
Formacioni i Orkestrës në Shkodër është një prej vlerave të veçanta artistike dhe unikale të qytetit, me fillesa që datojnë në vitin 1876. Për një periudhë të gjatë, ky formacion ka qenë nën drejtimin mjeshtëror të Kujtim Alisë si pjesë e eventeve kryesore kulturore të bashkisë.
Formacioni i Orkestrës Simfonike të Shkodrës, i themeluar në vitin 1952, prej 32 vitesh vazhdon të jetë një pjesë integrale e eventeve kulturore të nivelit më të lartë që zhvillohen në qytet. Ky formacion mbetet një pasuri e çmuar për trashëgiminë artistike të Shkodrës.
