Turizmi po kthehet gjithnjë e më shumë në sektor ku po mbështetet zhvillimi i burimeve natyrore dhe ekonomike në shumë qytete të vendit.

Drejtori i Turizmit në bashkinë Shkodër, Renato Lumçi, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, u shpreh se pritshmëritë për shifrat e turizmit përgjatë këtij viti, projektohen me një rritje prej 20% krahasuar me vitin 2024.

“Shifrat për vitin 2024 kanë qenë shumë pozitive duke shënuar rritje në të gjithë komponentët. Referuar këtyre shifrave, mund të them se pritshmëritë janë tejet të larta, së paku me një rritje prej 20% në total të shifrave dhe parashikimeve që ne si drejtori kemi për vitin 2025. Turizmi në bashkinë Shkodër tashmë është një realitet ekonomik i prekshëm dhe një sektor i ri për ekonominë e të gjithë territorit”, u shpreh ai.

Për institucionin e bashkisë, treguesi më i mirë është deklarimi dhe mbledhja e taksës së fjetjes, duke treguar se sa turistë kanë qëndruar në struktura akomoduese.

“Për të gjithë vitin e kaluar, në tetëmujorin janar-gusht, është regjistruar një rritje prej 32% krahasuar me vitin 2023 dhe rreth 70% në raport me vitin 2022. Në periudhën qershor-gusht (sezoni veror), kishte rreth 30% më shumë netqëndrime se sa në vitin 2023 dhe rreth 60% më shumë sesa në vitin 2022″, u shpreh Lumçi.

Sipas tij, konstatohet se rritja e netqëndrimeve në periudhën janar-maj, e quajtur si jashtë sezonit, është rritur me 75% në raport me vitin 2023 dhe 133% (më shumë se dyfishim) krahasuar me vitin 2022.

Sipas drejtorit të Turizmit pranë kësaj bashkie, rritja e shifrave gjatë muajve të verës i përket pikave turistike në Velipojë dhe Theth, ndërsa në muajt e tjerë të vitit kjo rritje i takon kryesisht qytetit. Vihet re që në Shkodër, tashmë turizmi po fillon të shtrihet gjatë gjithë vitit, duke e kthyer këtë sektor në një biznes të qëndrueshëm për shumë bare, restorante, hotele, agjenci turistike, transport dhe njësi të tjera që ofrojnë produkte turistike.

“Kjo ecuri i dedikohet së pari, investitorëve, bizneseve dhe ushtrisë së madhe të njerëzve që shërbejnë në këtë fushë, të cilët vit pas viti po përmirësojnë ofertën e tyre për turistët duke shtuar produkte dhe tërhequr turistë në zonat ku operojnë”, theksoi ai.

“Pa dyshim, kjo rritje lidhet edhe me zhvillimin e përgjithshëm të turizmit në vend. Besoj gjithashtu se politikat e bashkisë Shkodër këtë vit kanë ndikuar pozitivisht në këtë drejtim. Eventet që zgjuan interesin e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve, promovimi i territorit dhe kujdesi për shtimin e produkteve turistike, e kanë sjellë Shkodrën në vëmendje dhe kanë pasuruar ofertën turistike të territorit tonë. Sigurisht, kemi ende shumë për të përmirësuar. Kemi mësuar shumë nga ky sezon dhe do të bëjmë më të mirën në sezonin tjetër”, shtoi ai.

Sipas shifrave zyrtare nga kjo bashki, zonat më të vizituara në Shkodër janë: Velipoja, Thethi, zona e liqenit të Shkodrës, pedonalja e qytetit, Kalaja e Shkodrës etj. Përveç aspektit natyror, Shkodra ka edhe një ofertë të rëndësishme kulturore, me atraksione të tilla si: Muzeu “Marubi”, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Muzeu Historik i Shkodrës, Muzeu i Kështjellës etj.

Lumçi thotë se nëse i referohemi statistikave, Velipoja vitin e kaluar ka pasur 277 634 netqëndrime krahasuar me 222 444 netqëndrime në vitin 2023; Thethi ka pasur 39 431 netqëndrime gjatë vitit të kaluar krahasuar me 18 570 netqëndrime në vitin 2023; Qyteti i Shkodrës vitin e kaluar ka pasur 110 007 netqëndrime, ndërsa në vitin 2023 ka pasur 85 951 netqëndrime.

“Për vitin 2025, është parashikuar një investim për rrugët e brendshme të plazhit të Velipojës, që synon të ketë një ndikim edhe në rritjen e numrit të vizitorëve në këtë pikë turistike të rëndësishme për bashkinë Shkodër. Rruga e Dukagjinit, e cila është në proces besojmë se do të ketë një ndikim akoma më të madh për të gjithë zonën e Alpeve dhe bukuritë natyrore që ofron kjo zonë. Hapja e rrugës Shëngjin – Velipojë, e cila pritet të hapet gjatë këtij sezoni veror do të jetë një tjetër aset që afron turistët me Velipojën duke shkurtuar distancat për të qenë më shpejt në perlën e Adriatikut në plazhin e Velipojës”, shtoi Lumçi.