Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj priti këtë të hënë në ambientet e zyrës së tij, Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed Sytarin. Thelbi i vizitës ishte vlerësimi dhe kontributi në përhapjen e dijes dhe filantropisë nga ana e klerikëve përgjatë historisë në Shkodër. Rektori evidentoi po ashtu edhe ndihmën që familjet shkodrane dhanë në strehimin e popullsisë hebreje në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Universiteti “Luigj Gurakuqi” është “pasaporta” e Shkodrës, u shpreh në fjalën e tij, Imam Muhamed Sytari. Përfaqësuesit e dy institucioneve folën edhe për thellimin e bashkëpunimit mes tyre. Në përfundim të këtij takimi, Myftiu Sytari i dhuroi Rektorit Gjuraj një libër enciklopedi rreth fesë islame.
