Besimtarët e shumtë mbushën Katedralen “Shën Shtjefni” të Shkodrës për të marrë pjesë në Meshën Pontifikale Solemne me rastin e përfundimit të shërbimit baritor të Imzot Massafra-s në vendin tonë. Gjatë meshës u krye edhe riti i bekimit të pjesëmarrësve me ujin e shenjtë si dhe u shpall data e Pashkës që do të jetë ajo e 20 prillit.
Liturgjia u udhëhoq për herë të fundit nga Massafra në detyrën e tij si Arqipeshkëv i Dioqezës Shkodër-Pult. Me zërin që i dridhej nga emocionet, Massafra i falenderoi të gjithë në përfundim të misionit të tij.
I pranishëm ishte edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Luigi Bonazzi. Ai përshëndeti gjithë punën e bërë nga Massafra në 28 vitet e shugurimit të tij ipeshkvnor në vendin tonë. Detyrën e re të Arqipeshkëvit do ta ushtrojë Imzot Giovanni Peragine.
