Data 6 janar 2025 shënon 32-vjetorin e ndarjes nga jeta të një prej figurave më të spikatura të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, Zef Zorbës. Ai ishte bashkëkohës i një tjetër personaliteti si Martin Camaj. Zef Zorba do të shkruante në heshtjen e tij desidente duke u konsideruar si “hermetiku” i letërsisë shqipe. Poeti dhe regjisori Zorba ka lënë një pasuri të madhe sa i përket arkivit personal.

Zorba zgjodhi rrugën e shkrimit të një poezie që i çlironte shpirtin dhe i konfirmonte qënien e tij si njeri i lirë. Regjisor i vendosjes në skenë të “Juda Makabe” të Fishtës me Shtëpinë e Kulturës në vitin 1945. Zef Zorba është edhe autor i libretit të operës “Rozafa”, të të riut të talentuar të asaj kohe, Ndoc Pistullit, vepër kjo që lindi dhe mbeti në errësirën e diktaturës.