Nëse ekziston një destinacion që po përjeton një rritje absolute të popullaritetit dhe numrit të vizitorëve gjatë viteve të fundit, është Shqipëria, shkruhet kështu në revistën australiane “9Travel”. Vendi regjistroi një numër rekord vizitorësh të huaj – 4,5 milionë në gjashtë muajt e parë të 2024 – një rritje prej 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Me plazhe mahnitëse, ushqim të mrekullueshëm, vendas miqësorë, një kulturë dhe histori të pasur dhe çmime relativisht të lira nuk është çudi që Shqipëria po kthehet në një pikë të rëndësishme turistike. Më tej artikulli i kushton një hapësirë edhe mrekullisë panoramike të Alpeve Shqiptare si një ndër destinacionet më mbresëlënëse për ata që vizitojnë Shqipërinë. Ato ofrojnë një sërë shtigjesh për ecje me peizazhe mahnitëse, shkruhet në revistën australiane.
Një përshkrim zë edhe kulinaria e vendit tonë. Mënyra më e mirë për të përshkruar ushqimin shqiptar është ndikimi i tij nga kuzhina greke dhe italiane duke ofruar shumë pjata me mish dhe ushqime deti të shijshme dhe të freskëta.
Sa i përket kohës më të përshtatshme për të vizituar Shqipërinë, revista australiane shkruan se korriku dhe gushti janë muajt më të ngarkuar të verës. Shumë turistë italianë dynden në Shqipëri në këtë kohë pasi qytetet bregdetare të vendit janë shumë afër me traget nga Italia. Prilli, maji apo shtatori janë muajt më të mirë për të shmangur turmat e turistëve dhe vapën përvëluese, sugjeron revista ““9Travel”.
