Evoluimi i ndjeshëm që ka pësuar ndër vite kënga shkodrane është padyshim i lidhur edhe me figurën e muzikantit, Luan Barova. Mbi 22 vite kanë kaluar prej ndarjes nga jeta por gjurmët e tij ndihen kudo. Bujar Qamili është artisti që ka bashkëpunuar më gjatë me të. Ai ka se çfarë të thotë e të ndajë me shikuesit sa i përket kujtimeve me mjeshtrin Luan Barova në 68-vjetorin e lindjes së artistit të ndjerë.

Si udhëheqës artistik, Luan Barova pasuroi korpusin e këngës qytetare shkodrane, të Shqipërisë së mesme dhe asaj nga Kosova duke ruajtur të pastër melosin e tyre.

Në vitet e aktivitetit të tij artistik si profesionist në Teatrin “Migjeni”, por edhe si Udhëheqës Artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, Luan Barova u kujdes për një muzikë më cilësore, autentike, më të pranishme e të dashur kudo, në mbrëmje familjare, skena, sheshe, dhe studio radiotelevizive në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë shqiptarët.