Kënga e Shqipërisë në “Eurovision” ka nxitur interesim në Serbi, disa kanë deklaruar se do ta votojnë për ta fituar garën evropiane por i shpejtë ka qenë reagimi i tabloideve të Beogradit që t’ua nxjerrë prej qejfi. Kanë “hulumtuar” për ta shpikur “skandalin e rëndë”, duke “zbuluar” se këngëtarja ka bërë shqiponjën dykrenore me duar. Kaq ka mjaftuar dhe të shpërthejnë kundër reagimet.
Grupi “Shkodra Elektronike” në përbërje të Beatriçe Gjergjit dhe Kolë Lacës me këngën “Zjerm” do ta përfaqësojë Shqipërinë në festivalin evropian të këngës “Eurovision”, që do të mbahet vitin që vjen në Bazel të Zvicrës. Të dielën e kaluar, në edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, vlerësimi i jurisë dhe ai i publikut kanë qenë thuajse të njëjtë. Që të dyja palët e kishin nxjerrë “Shkodrën Elektronike” në vend të parë.
Mediat në Serbi, të njohura për të tilla qasje si “Kuriri” e “Mondo”, kanë hetuar se nëpër platformën X, ditëve të fundit “është virale videoja e performancës së dyshes në Festivalin e RTSH-së”. “Kënga ‘Zjerm’ me të cilën kanë fituar, kombinon elemente të muzikës tradicionale dhe elektronike, përderisa shprehja e tyre skenike, stili ekscentrik dhe interpretimi energjik, kanë tërhequr vëmendjen e publikut në Serbi.
Shumë prej tyre madje e kanë veçuar këtë dyshe favorite duke lënë mënjanë tensionet politike”, ka shkruar “Kurir” i Beogradit. E ka mbështetur këtë duke marrë disa postime. “’Për herë të parë në jetë votoj me gjithë zemër për Shqipërinë’ ‘Shqipëria deri në fitore’, ‘Kanë këngë të shkëlqyeshme‘, ‘Janë fort të mirë, kënga të mbetet në vesh’, ‘Këngëtarja ta kujton Konstraktan (këngëtare serbe v.j.)’ kanë komentuar në rrjetet sociale X”, ka shkruar “Kuriri”. Por fill pason, përmbysja e situatës.
“Lexuesit tanë e kanë pëlqyer këngën, por këngëtarja Beatriçe i ka zhgënjyer kur si mysafire në një emision televiziv, me krenari ka bërë shqiponjën dykrenore me duar. Foton më pas e ka postuar në rrjete sociale dhe kjo ka shkaktuar reagim të furishëm”, ka shkruar po ky medium duke konstatuar se dyshja e Shqipërisë “e ka humbur një pjesë të simpatisë që e fitoi në Serbi”.
“Edhe pse kënga ka potencial të tërheqë publik të gjerë jo pak mendojnë se ky veprim do të humbë votues rajonalë dhe do të ulë shanset për përkrahje domethënëse në majin e vitit që vjen”, konstaton “Kuriri”. E, këto i bazon prapë te komentet në rrjete sociale. “’Kjo do t’u kushtojë në renditje. Nuk ishte e nevojshme t’i provokojnë serbët’, ‘Ja, ju i lavdëroni e ata ju përqeshin’, ‘Si mund dikush prej nesh pas gjithë kësaj ta votojë Shqipërinë dhe atë me zemër’, ‘E di që disa shkruajnë marrëzira, por kjo është e tepërt’, kanë shpërthyer komentet”, ka shkruar “Kuriri”.
Lajmi për “skandalin” e dyshes nga Shqipëria është shpërndarë gjithandej nëpër mediat serbe me të njëjtën frymë.
