Kryebashkiaku Benet Beci ka pritur në ambientet e Bashkisë Shkodër, fituesit e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës: Betriçe Gjergji dhe Kolë Laca të grupit “Shkodra Elektronike”. Kënga “Zjerm” e realizuar me mjeshtëri nga duoja shkodrane bëri që e gjithë Shkodra t’i mbështeste në këtë sfidë që i dërgon ata në Eurovision. 

Kryetari i Bashkisë, Benet Beci uroi artistët dhe i garantoi atyre mbështetje maksimale për pjesëmarrjen e tyre në Eurovision që do të mbahet në muajin maj në Bazel të Zvicrës.

“Shkodra Elektronike” dhe kënga e tyre “Zjerm” fitoi zemrat e publikut shqiptar duke bërë që kryeqendra e veriut në vitin 2025 të ketë emrin e saj në garën më të madhe të këngës në Europë, “Eurovision”. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për këtë grup të krijuar në vitin 2018 që pa frikë ka sjellur revolucion në muzikën shqiptare.