Kryeministri Edi Rama në takimin përmbyllës të këshillimit kombëtar me mësuesit e prindërit për masat ndaj Tik – Tok dhe sigurinë e fëmijëve në tërësi, theksoi se rrjeti social Tik-tok do të mbyllet për të gjithë për një vit.

Mbyllja do të bëhet gjatë vitit të ardhshëm dhe sipas kreut të qeverisë në aspektin teknologjik do të duhen 6 deri në 8 javë.

“Është shumë më tërheqës “rrugaçi i lagjes” që ne e quajmë TikTok, ne TikTokun do ta mbyllim për një vit. Kini parasysh që kemi bërë hulumtimet tona në aspektin teknologjik do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga viti i ardhshëm dhe për një vit do ta mbyllim për të gjithë”, tha Rama.

Rama tha se përgjatë këtij viti do të shohin edhe si do të veprojnë vende të tjera në lidhje me këtë rrjet social.

“Gjatë atij viti do shohim si do të veprojnë vendet e tjera, si do të reagojë vet TikTik. Kjo kompani rrënjët i ka në Kinë po të shohësh TikTok në Kinë dhe në vende të tjerë janë krejtësisht të ndryshme. Rrugaçëria, perversitetet, dhunë, bullizëm, krim, euro, dollarë nuk sheh në TikTok-un e Kinës.

Ndërsa në Tik Tokun jashtë Kinës vetëm llum dhe qenëri. Për çfarë na duhet kjo. Është algoritmi që nxit. Problem sot nuk janë fëmijët tanë problem sot jemi ne shoqëria jonë, TikToku dhe gjithë Toktokët e tjerë që na marrin peng fëmijët njësoj si “Rrugaçi i lagjes”. Këtë rrugaç do ta përzëmë nga lagjja jonë për një vit dhe të shikojmë se çfarë do të bëjnë të tjerët”, u shpreh Rama.