Nga Loreta Tomaj…
Në konkursin “Thyejmë heshtjen”, zhvilluar me datën 16 dhjetor 2024, nga ora 10.30 deri në orën 13.00, pranë ambjenteve të Shkollës së Muzikës “Prenkë Jakova”, në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, nxitur nga ZVAP Shkodër në bashkëpunim me Qendrën e Gruas “Hapat e Lehtë”, me synim dhënien e mesazheve nga nxënësit në lidhje me rëndësinë e parandalimit të dhunës në familje dhe atë ndaj gruas, si dhe të pasojave që ajo lë te viktimat, mes 14 shkollave të mesme të kësaj Zyre Vendore, shkolla “Adem Haxhija” në Postribë mori pjesë me performancën “Mrekullisht e krijuar”.
Gjashtë piktoret e shkollës: Senea Bibaj (klasa VIII), Esma Bushaj (klasa IX), Orgena Brahimataj (klasa IX), Besarda Bracaj (klasa XIA), Erisa Bibaj (klasa XIA) dhe Melisa Bahçja (klasa XIIA), ndërsa bashkëndanin mesazhin që donin të përcillnin me pikturat e tyre, u duartrokitën vazhdimisht nga pjesëmarrësit në këtë aktivitet.

Sa për ilustrim, ja dy prej këtyre mesazheve: “Shpesh kam parë gra që, për faktin se kishin lindur në një kulturë të caktuar apo kishin bërë një zgjedhje të caktuar, nuk besonin se mund t’ia ndryshonin më fatin vetes apo fëmijëve të tyre. Shembulli i grave që ia ndryshonin këtë fat vetes më ka mahnitur, edhe pse herë-herë nuk ndihesha aq e guximshme. Ndiej se kam ende nevojë për shembuj të tillë, me qëllim që ta jetoj plotësisht jetën time” (Besarda, klasa XIA) dhe “‘Mbylle gojën, moj vajzë’, ‘Nuk ban me folë, se je ma e vogla’, ‘Prit të flasin të tjerët ma parë’, ‘Kush e merr parasysh atë që mendon ti’, janë disa fjalë që më janë ngulitur në kokë që prej fëmijërisë së hershme. Tash si e re, dua të flas, dua të mendoj e të flas, dua të respektoj e të respektohem për atë që jam: vajzë, grua, njeri” (Esma, klasa IX).

Monologu me titull “Thyej heshtjen”, recituar me shumë ndjenjë nga nxënësja Zerina Uraj, klasa XIIB, u pasua nga kërcimi artistik dhe recitimi i poezisë “Shoqja e jetës sime”, me autor Nazim Hikmetin, prej nxënëses së talentuar Esmira Buhaj, klasa XIIA, nxënëse këto të cilat kishin edhe rolin e prezantueseve të krejt performancës së shkollës sonë.

Kënga “Ngjyra e kuqe”, kënduar nga Adrian Gaxha ft Floriani, i dha fill pjesës së tretë të kësaj performance, e cila, përmes paraqitjes së tre simboleve, synonte të tregonte se në ç’mënyrë kjo dhunë mund të reduktohet.

Paraqitja e një këpuce të kuqe me taka, instalacion i ideuar nga artistja meksikane Elina Chauvet, në vitin 2009, për të mos i lënë njerëzit indiferentë dhe për të ndezur një dritë për parandalimin e dhunës dhe të gravrasjes, dhe shpjegimi i domethënies së saj nga Besarda, u shoqërua me shpërndarjen e 16 mesazheve, nga një mesazh për çdo ditë të sensibilizimit të luftës kundër dhunës ndaj vajzave e grave dhe me leximin e dy prej tyre nga të pranishmit.

Prania e një stoli të kuq në skenë, simbol i ideuar nga Bashkia e Torinos (Itali), në vitin 2014, për të përkujtuar gratë e vrara nga dhuna e egër e partnerëve, e burrave, e miqve, e familjarëve, e të njohurve dhe ndonjëherë edhe e të panjohurve, dhe interpretimi i Zerinës, prekën dukshëm pjesëmarrësit në këtë aktivitet.
Sinjali i kërkimit të ndihmës, ideuar nga Canadian Women’s Foundation, me shtimin e rasteve të dhunës shtëpiake për shkak të izolimit të detyruar prej pandemisë së Covid 19, u paraqit nga Esmira, e cila ua mësoi atë edhe të pranishmëve, duke u dhënë këto udhëzime: “Dora e majtë ngrihet në lartësinë e shpatullave dhe pëllëmba e saj mbahet e hapur, gishti e madh paloset mbi të, pastaj ulen gishtat e tjerë poshtë”, tamam si një përshëndetje, si një për-shëndet, si një “Dua të jetoj!”.

Juria e vlerësoi me çmim të parë performancën artistike të nxënëseve të shkollës sonë “Mrekullisht e krijuar”, ideuar nga vetë ato dhe mbështetur e shoqëruar nga mësuesja Ardiana Kodheli, kordinatore e këshillimit të karrierës, dhe M. Sc. Loreta Tomaj, psikologe e shkollës, për larmishmërinë e saj, për aftësitë artistike të nxënëseve dhe për mesazhin shpresëdhënës që përçoi në lidhje me respektimin e gruas nga vetë ajo dhe nga personat e tjerë me të cilët ajo rrethohet.
