Studentët e programit të ciklit të dytë Gjuhë – Letërsi (Master profesional, viti i dytë): Jozef Bashota, Eda Bajri, Selma Salja, Teuta Hysenaj, Alba Bytyqi, Sara Marku, Valentina Gjini, Ledidjana Vukaj, Denisa Hysaj, Rafaela Shtjefni, Freskita Guri, Ehada Alijaj, Alketa Smakaj u bënë pjesë e një ore të hapur poetike.

Aktiviteti ishte konceptuar në formën e një montazhi poetik me poezi të zgjedhura të autorëve të traditës nga pedagogu i Departamentit të Letërsisë, prof. asoc. dr. Gëzim Puka.

Vargjet vinin nga letërsia e vjetër shqipe dhe periudha e Rilindjes Kombëtare, e cila karakterizohet nga angazhimi patriotik. Në këtë “sofër letrare” u shijuan copëza krijimesh nga Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, Pashko Vasa, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Anton Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Asdreni, Gjergj Fishta, Faik Konica.

Lidhja e vargjeve ishte bërë përmes fillit tematik të atdhedashurisë dhe mallit për atdhe. Të gjithë e dimë se letërsia është pjesa më e rëndësishme e thesarit të kulturës së një kombi dhe si e tillë ajo duhet parë edhe nga shkolla. Programi i lëndës: “Historia e zhvillimit të letërsisë shqiptare” (Moduli I) që zhvillohet në këtë program studimi, është mbështetur në temat e teksteve mësimore të letërsisë që përdoren sot në shkolla.

Megjithatë, duke i vëzhguar me hollësi këto tekste mësimore në përdorim, mund të thuhet se shumë prej tyre janë varfëruar nga pikëpamja e lëtrarësisë, si dhe kanë përfshirë më shumë tekste funksionale.

Këta studentë të masterit profesional janë mësuesit e së nesërmes, prandaj duhet të zotërojnë disa teknika interpretative për fjalën artistike. Kjo ishte një orë e suksesshme, pasi montazhi poetik dukej i realizuar shumë mirë. Kjo u vërejt nga vëmendja me të cilën u ndoq prej të pranishmëve. Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Tonin Gjuraj, i uroi studentët me fjalë të përzemërta dhe e vlerësoi punën e të gjithëve.

Të tjerë pedagogë, studentë dhe ish-studentë shprehën përshtypjet e tyre për këtë shfaqje poetike.

Pjesë e kësaj ore të hapur ishin edhe dy studentë të masterit profesional të pedagogjisë muzikore, viti i dytë. Agron Pllumaj interpretoi një instrumentale me fyell me motive veriore, ndërsa Erigena Begolli këndoi me mjaft emocion arien “Agime Shqiptare” të Avni Mulës.