Figura e At Ambroz Marlaskaj, një prej priftërinjve françeskanë me kontribut në punët e kishës, vendit, arsimit, popullit dhe shtetit erdhi e ndriçuar përmes monografisë së autorit Ndoc Frroku. Ky i fundit, pas një pune të gjatë hulumtuese në dokumentet e Arkivit të Shtetit e sjell si kurrë më parë njeriun që do t’i dedikohej fesë dhe atdheut.

Në këtë libër, Frroku ka një përgjegjësi të dyfishtë, jo vetëm si autor i veprës por edhe stërnip i françeskanit Marlaskaj. I pranishëm në promovimin e monografisë “At Ambroz Marlaskaj, apostull i Krishtit dhe kombit” në Bibliotekën “Marin Barleti” ishte edhe Arqipeshkëvi, imzot Angelo Massafra. 

Autori Ndoc Frroku me origjinë nga Lezha ka studiuar në Fakultetin e Ekonomisë Agrare në Tiranë. Prej vitit 2008 jeton në Kanada ndërsa ky libër është i pari për të.