Nga Xhahid Bushati…
Si parathënie e këtij diskutimi, dua të them ca fjalë falënderimi për Prof. as. Dr. Valbona Karakaçi, që është njëkohësisht ideatore dhe moderatore e paneleve, të cilët kumtuesit do të flasin për problematikat e Teatrit. Aq më shumë kjo ditë vlerash në shërbim të teatrit përkon, pothuajse me faqet e fundit të vëllimit të dytë që do ta botoj në muajt e parë të vitit 2025, duke kujtuar që vëllimi i parë u botua në sajë të Drejtores së atëhershme, Rita Gjeka.
Libri hapet me portretin dhe disa dukuri jete të arkitektit të talentuar Anton Lufi, që është dhe arkitekti i Teatrit “Migjeni”, por që në mjediset e tij nuk ka portret, dhe nuk ka në miniaturë të afishuar planimetrin e tij të Teatrit. Duke e njohur këtë planimetri, kujtoj se përballë derës kryesore ishte një bufe që sot nuk ekziston, gjithashtu ishte garderoba, por edhe kjo nuk ekziston. Sikur ka humbur identiteti i Teatrit. Megjithatë Teatri jeton, dhe skena herë pas here shkëlqen sipas niveleve artistike nga shfaqjet e dhëna.
Pas kësaj fillese, po kaloj tek trajtesa e temës. Teatri, në veçanti Teatri “Migjeni” është një nga dashuritë artistike të hershme të mia që, sigurisht, vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ajo zë fill në fëmijërinë time, e cila ishte e lidhur me Teatrin e Kukullave. Një teatër magjepsës, plot fantazi, ku fëmijët gjenin një pjesë të jetës së tyre, edhe pse në skenë krahas fëmijëve, të rriturve vepronin si në përrallë kafshët, shpendët e kandrrat. Teatri i Kukullave me gjurmët që lanë veçanërisht Andrea Skanjeti dhe e shoqja Njomi, do të mbeten të paharruar në kujtesën time.
Gjithmonë kam menduar se ai prodhim artistik, ai rrugëtim i mrekullueshëm e plot dinjitet të atyre aktorëve dhe aktoreve që interpretuan me ideal, duhet të kishte një libër monografik. Por… ai nuk ekziston ende… Duke kaluar pak në kohë, heshtjen e këtij teatri e thyen dy shfaqje, të cilat qenë me interes dhe u pëlqyen. Më pas Teatri i Kukullave heshti, dhe heshtja vazhdon… Tek teatri i kukullave është e sotmja, e ardhmja e rrugëtimit të Teatrit.
Aktualisht filozofia e përspektivës është pakëz larg… Nga që e dashuroja teatrin, një ditë dhe vazhdoj edhe sot, u bëra studiues i rrugëtimit të tij. Kam botuar disa libra. Teatri, që nga themelimi e deri në vitin 1990, me vlerat dhe antivlerat e kohës, mrekullinë e shfaqi përmes aktorëve dhe regjisorëve të talentuar që ishin një pasuri që rrezatonte jo vetëm në qytet por në rrafshin kombëtar. Nuk mund të kuptoheshin Festivalet kombëtare pa Shkodrën e Migjenit.
Nuk mund të harrohen regjisorët, si: Andrea Skanjeti, Lec Shllaku, Esat Oktrova, Serafin Fanko e Bardh Smaja… Nuk mund të harrohen aktorët e mrekullueshëm që në historinë e këtij teatri ndritën me talentin e tyre, e, sot permendem me nderim. Sikur, sot ky prodhim artistik sikur nuk njihet në masën e duhur, sikur jeton më shumë përmes kujtimeve. Institucionet e kulturës, Bordi i Kulturës dhe vetë Teatri do të duhej të paraqitnin programe, platforma zhvillimi, të bëheshin diskutime shfaqjesh… etj. etj. që e sotmja dhe përspektiva të ishte më e qartë.
Teatri është në udhëkryq, sepse mungon regjisori, aktorë kanë mbetur pak, përspektiva ndaj të rinjve nuk shikohet dhe aq, etj. etj. Institucionet që drejtojnë duhet te ofrojnë modele e alternativa. Në fund të fundit, pse nuk duhet të ketë një studio teatrore, që dikur ka qenë, për t’i ofruar të rinjtë e të rejat (moshën e gjimnazit) që janë të talentuar? Dikush nga këto duhet të shkojë në Universitetin e Arteve dhe të kthehet, përsëri, në Shkodër.
Po si shkon rruga e Teatrit sot? Do të bëj disa kundrime vetjake per te pohuar pyetjen: Si shkon teatri sot? Sezoni teatror u hap me shfaqjen “Krimi është vetëm i imi” i regjisores Driada Dervishi. Duke ndjekur disa shfaqje, mendoj, që vetë regjisorja kishte dilema për vënien në skenë, mbase nuk e kish kuptuar vetë në thellësi pjesën. Trupa e shumicës së aktorëve vinin nga Tirana. Ata mbanin peshën e shfaqjes, ndërsa aktorët shkodranë ishin garniturë. Sikur mungonte identiteti i teatrit dhe unë po e quaj “mielli” shkodran. Më pas, erdhi një regjisor japonez e vuri pjesën-muzikëll të Brehtit “Opera për 3 grosh”. Edhe këtë shfaqje e kam parë më shumë se një herë.
Konstatoj se, regjisori në përceptimin e shfaqjes ishte më shumë pedagog sesa regjisor. Disa raporte ballafaqimi në skenë që duhet të njiheshin dhe të realizoheshin artistikisht, ishin, si: – Raporti i regjisorit me aktorët interpretues; ballafaqimi i regjisorit me pjesën e Brehtit, të aktorëve me pjesën e Brehtit, të Brehtit me vetë Brehtit në pikëpamje të ardhjes së historisë e problematikes në kohë, etj. Mendoj, se të gjitha çaluan, diku edhe dështuan. P.sh. përveç aktorit Pjerin Vlashi askush nuk dinte të këndonte. Megjithatë shfaqja e pati një vlerë të rëndësishme në disa skena e pakëz interpretime vizioni historik e kohor i Brehtit si veçori krijuese ishte i pranishëm, realist dhe botë artistike.
Duke marrë shkas nga këto dy vepra që nisën udhën teatrore të këtij viti, vetiu lind pyetja: – Cila është përspektiva e kësaj rruge? Për çfarë filozofie arritjeje do të flasim? Dhe përgjigjja është kjo: – Në fushën teatrore problemi themelor i Teatrit “Migjeni” ende i pazgjidhur është raporti mes traditës dhe bashkëkohësisë. Deri tani qe flasim: tradita e pasur e sfidon bashkëkohësinë. Që të ndryshohet raporti, teatri me të gjithë komponentët e tij duhet të ketë tjetër vizion dhe, vizioni themelor është, a do të mund të kapim e ta kapërcejmë traditën dhe t’i buzëqeshim bashkëkohësisë? Po s’e kapëm… do të dështojmë. Vërtet, skena nuk do të rrijë pa shfaqje. Shfaqjet nuk do të kenë vlera. Duke mos pasur vlera, spektatori do të jetë i vogël në numër. Dhe Teatri do të nisë të bëhet i largët. Këtë nuk e dëshirojmë!
