Në Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër u prezantua libri “At’ e bir (të dirigjosh)” i autorit Ermir Krantja, emër i njohur i artit të dirigjimit shqiptar. Lexuesi do të gjejë në këtë vepër elemente të veçuara të karakterit monografik apo autobiografik. Autori sjell në libër dy eksperienca me një kohëzgjatje prej shumë dekadash, të cilat përbëjnë thelbin e raportit atë e bir si dhe kontributin e përbashkët artistik në botën e spektaklit të Ermirit dhe Mustafa Krantjes.

Një hapësirë të konsiderueshme në libër e mbulon dialogu mes të dyve që u bë një bazë zhvillimi dhe përpunimi i temave nga më të ndryshmet mbi artin e dirigjimit si nga pikëpamja teknike ashtu edhe në aspektin interpretativ.
Ermir Krantja shprehet në intervistën për mediat se e sjell këtë libër si një dëshmi për brezat e rinj në lidhje me pasurinë që mban në vetvete historiku i artit të dirigjimit në vendin tonë. Më tej ai ndalet edhe në trajtimin e çështjeve dhe problematikave që e shqetësojnë muzikën shqiptare sot.
Drejtuesi i Korit Polifonik “Prenkë Jakova”, mjeshtri Gjon Shllaku veçon kontributin e dy muzikantëve Krantja dhe nikimin e tyre në artin shkodran.
Ermir Krantja lindi në Tiranë më 6 mars 1947 në një familje muzikantësh. Babai i tij, Mustafa Krantja është dirigjenti i parë shqiptar që ngriti dhe udhëhoqi institucionet orkestrale të pasluftës si: Orkestra e RTSH, Orkestra e TKOB dhe Orkestra e Akademisë së Arteve. Ermir Krantja studioi në Licen Artistik “Jordan Misja” për violinë në klasën e prof. Gene Bogdo dhe më tej vazhdon studimet në Akademinë e Arteve për dirigjim në klasën e Mustafa Krantjes.
Pas përfundimit të studimeve, në periudhën prej vitit 1969 deri në vitin 1975, punoi si dirigjent pranë Orkestrës së RTSH-së. Në vitin 1975 u transferua në Shkodër, ku filloi të organizonte forcat amatore të muzikës duke krijuar natyrshëm Filarmoninë e Shkodrës në vitin 1976.

Në vitin 1979 u rikthye në Tiranë si dirigjent i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit. Në këtë periudhë, kontributi i tij është shumë i rëndësishëm në realizimin e veprave kombëtare, simfonike e operistike, si edhe në rritjen e menjëhershme të cilësisë artistike të shfaqjeve skenike e të koncerteve simfonike, duke i dhënë një shtysë të madhe edhe aktivitetit koncertal e filarmonik, krahas atij operistik.
Kësaj periudhe i përkasin premierat absolute kombëtare dhe të huaja si: operat “Viosa”, “Borana”, “Nëna e trimave”, “Toka jonë”, baleti “Lumi i vdekur”, opera “Trovatore”, baleti “Don Kishoti” e “Arrëthyesi” si dhe rivënie të ndryshme si: “Peshkatarët e perlave”, “Traviata”, “Pagliacci”, “Norma”, “Rigoletto”, “Tosca”, “Berberi i Seviljes”, “La Boheme” etj.

Ermir Krantja është fitues i një seri çmimesh të para në “Koncertet e Majit” në Tiranë, në edicionet 1970-1975 dhe 1979-1989. Për të gjithë kontributin e tij në muzikën shqiptare, ai është vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës në vitin 2022.
