Pas disa ndalesave, ku më e fundit ishte në Austri pak ditë më parë, të rinjtë amatorë nga Vau Dejësi e sollën Dasmën e Skënderbeut edhe në Shkodër. Shfaqja e veçantë u plotësua me një program të larmishëm artistik me humor dhe këngë në sallën “Mikel Koliqi” të Famullisë “Zoja e Shkodrës”.

E veçantë është se ky inskenim artistik iu dedikua personave me aftësi ndryshe dhe të ardhurat do të shkojnë për ta, shprehen organizatorët. Antonjo Pjetraj është djaloshi që luan rolin e Skënderbeut dhe ndihet mirë që i është bashkuar kësaj kauze.

Në Bashkinë Vau Dejës llogariten rreth 300 persona me aftësi ndryshe dhe kjo iniciativë e organizatorëve të shfaqjes jep mesazhin e solidaritetit dhe përkrahjes për këtë shtresë të shoqërisë. Inskenimi i Dasmës së Skënderbeut do të vijojë edhe në vende të tjera.