“Erdha të them se jam mirë”, me këtë titull erdhi para lexuesve poetja Bona Mulaj në librin e saj më të ri. Takimi promovues u zhvillua në një nga sallat e Bibliotekës publike “Marin Barleti”. Autorja e trajton dashurinë jo vetëm si përvojë personale por edhe si një fenomen me dimension të pasur kulturor e shpirtëror.

Ajo ia dedikon librin dy bijve të saj. Ky vëllim i dytë poetik vjen 6 vite pas të parit. E gjithë kjo periudhë i ka shërbyer poetes për të kuptuar forcën e pasionit dhe entuziasmin për t’u rikthyer tek lexuesi. Libri e sjell Bonën në një dimension tjetër, u shprehën disa nga të ftuarit e këtij takimi.

Muzika u bë shoqëruese në këtë takim teksa zëri i këngëtares Savjana Vjerdha dhe tingujt e Markelian Kapidanit pasuruan aktivitetin së bashku me interpretimet poetike nga pjesëmarrësit.

Bona Mulaj është jo vetëm një poete e spikatur por edhe një aktiviste në mbrojtje të të drejtave të grave në shoqërinë shqiptare.