Paulin Selimi ishte një prej shkrimtarëve tregimtarë më të mëdhenj të humorit shqiptar. Ai ishte përfaqësues i traditës shkodrane të humorit në fushën e letërsisë së kultivuar, e shprehur kjo në disa zhanre të krijimtarisë letrare humoristike.
Paulin Selimi ishte autor i disa vëllimeve me tregime humoristike si: “Gati orkestra” 1972, “Një skeç për veten” 1977, “Banor i shkallës së lartë” (tregime e novelëza humoristike, 1981), “Nuk shihet ftyra vetëm te pasqyra” (epigram, 1985), “E drejta e natës së parë” 1994, “Duel gjelash” 1997, “Vizita e ujkut plak” (humor satirë, 2004). Një pjesë e këtyre materialeve janë të përkthyera edhe në gjuhë të huaja. Ato ishin vëllime që u pritën mirë nga lexuesi dhe mendimi kritik letrar.
Kontribute të ndjeshme dhe me vlerë, Paulin Selimi dha në fushën e krijimtarisë letrare për skenën e Estradës Profesioniste të Shkodrës dhe jo vetëm të saj. Ai shkroi librete, skeçe e minikomedi gjithnjë të suksesshme, personazhet qëndrore të të cilëve kanë krijuar tipa shumë përfaqsues që kanë mbetur simbole të përkatësisë së negacioneve që mbartnin.
Të tilla janë të stampuara në kujtesën e shqiptarëve, personazhet qëndrore të materialeve skenike në skeçet: “Kunati i shokut Xhemal”, “Kola i dritave”, “Kushrini nga Amerika”, “Jepi mami”, “Mbas mullarit” etj. të realizuara në skenën e Estradës Profesioniste të Shkodrës. Autori i tyre prej kohësh ishte personifikuar në memorien e shkodranëve si mjeshtri i humorit të shkruar, përfaqësues dinjitoz i humorit të qytetit të vet, në veprat e të cilit lëvizin figura groteske urbane me dilemat e veta që sjellin në vëmendje kriza realizimi të individit në situata e konjuktura konkrete e të veçanta për kohën.
Përmes një grotesku pikant që e karakterizonte krijimtarinë e tij, Paulin Selimi krijoi një galeri të tërë figurash të skalitura. Ai shkroi e ndihmoi shumë me materiale skenike edhe repertoret e estradave amatore të qytetit e rrethit.
Selimi ishte për një dekadë (1991-2001) kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve për Shkodrën. Ai ishte fitues i çmimeve kombëtare në konkurset letrare. Në vitin 2002 u dekorua nga Kuvendi me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë, për krijimtari letrare si dhe me Medaljen “Mirënjohja e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës. Paulin Selimi mbetet figura emblemë shkodrane e humoristit, satirikut, tregimtarit, fabulistit e novelistit.
