Luigj Gurakuqi mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngjarjet më të rëndësishme të jetës së vendit në çerekun e parë të shek. XX. Aktiviteti i tij ishte i shumëanshëm duke nisur si: politikan, diplomat, shtetar, gjuhëtar, poet, prozator, estet por mbi të gjitha ai ishte një patriot i flaktë.

Lindi në Shkodër më 19 shkurt 1879 në një familje tregtare të kulturuar shkodrane. Gjatë studimeve në arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh në Shën Mitër të Koronës, pati si mësues De Radën që do ta kishte përherë frymëzim.

Në studimet universitare në Fakultetin e Mjekësisë të Napolit njihet me Zef Skiroin, profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe i përpirë nga ajo frymë e lartë patriotike që në qendër kishte fatet e Shqipërisë, lë në mes studimet dhe në vitin 1908 kthehet në Shkodër ku pritet me adhurim nga i gjithë populli.

Luigj Gurakuqi mori pjesë në Kongresin e Manastirit për njësimin e alfabetit të shqipes dhe holli bazat e ngritjes së një sistemi të ri e modern arsimor. Ai ishte drejtori i të parës Shkollë Normale që u hap në Elbasan. Në vitin 1911 mori pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës kundër turqve dhe hartoi Memorandumin e Greçës së bashku me Atë Mati Prennushin, akt ky që do të paralajmëronte pavarësinë e vendit.

Gurakuqi është hartuesi dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë dhe krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë veprimtarinë e tij. Ai mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit dhe u zgjodh nga Fan Noli si Ministër i Financave.

Jeta e tij mbetet shembulli i një patrioti që dha gjithçka për të mirën e atdheut, pa bërë asnjëherë kompromise. Në qendër të qytetit të Shkodrës gjendet sot shtatorja e tij ndërsa Universiteti i Shkodrës mban emrin “Luigj Gurakuqi”.

Ajo që i mungon sot Shkodrës është shtëpia ku u lind e banoi Gurakuqi. Në kujtim të saj kanë mbetur vargjet që vetë Luigj Gurakuqi ia dedikoi.

Shtëpisë sime

Te ti m’fluturon mendimi, o shpiza ime, Kur vjen ma i thershëm malli me m’trazue; Te ti, ku nisa s’parit me jetue, Ku çela sytë, ku u reva, e pata gzime…