“Libra të një kohe tjetër” është ekspozita me karakter historik, organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti” në bashkëpunim me Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës. Ajo është konceptuar si një vështrim i përgjithshëm në tekstet kyçe shkollore gjatë periudhës së diktaturës komuniste në vendin tonë. E ndarë në 6 ekspozitorë, secili prej tyre përmban grupime ndërlëndore librash shkollorë ndërmjet viteve 1949-1985.

Këto mjete didaktike të ideologjizuara me frymën partiake dhe atë të komunizmit, u shërbenin interesave politike për kontrollin e pushtetit përmes indoktrinimit të brezave të rinj. Lufta ndaj fesë ishte njëra prej tyre.

Ekspozita “Libra të një kohe tjetër” i drejtohet kryesisht nxënësve të sotëm për të kuptuar më mirë këtë aspekt historik të diktaturës në Shqipëri. Ajo do të qëndrojë e hapur në Muzeun e Kujtesës deri në ditët e para të vitit të ri.