Në ambientet e Bibliotekës publike “Marin Barleti” u zhvillua takimi përmbyllës i projektit “Zbulimi i Trashëgimisë: Shkodra nëpërmjet Ekranit”. Ky projekt ka si synim të adresojë promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit të Shkodrës në mënyra inovative dhe të qasshme për një audiencë më të gjerë.
Në aktivitet u prezantua Turi Virtual i Muzeut Historik të Shkodrës si dhe teknikat e përdorura për digjitalizimin e disa prej artefakteve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore të këtij Muzeu, duke ofruar kështu një mënyrë inovative për prezantimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit për trashëgiminë kulturore të qytetit, nëpërmjet teknologjisë. Për studiuesen e trashëgimisë kulturore, Rita Shkurtaj kjo iniciativë duhet zgjeruar edhe më shumë.
Projekti u implementua nga Qendra Digital Future me mbështetjen financiare të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe me bashkëpunimin e ngushtë të Bashkisë Shkodër dhe Muzeut Historik të Shkodrës.
