Veprimtaria e Ceremonisë së Diplomimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” vijoi traditën e organizimit edhe këtë vit. Çdo gjë nisi me ekzekutimin e himnit akademik botëror në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të “pushtuar” nga studentët. 1320 prej tyre kurorëzuan me sukses vitin akademik ‘23 – ‘24 e bashkë me të edhe përpjekjet e mundin e tyre në rrugën drejt dijes.
Rektori Tonin Gjuraj bashkë me urimin për studentët ka bindjen se ata do të dijnë ta lartësojnë edhe më shumë emrin e këtij universiteti. I pranishëm në Ceremoninë e Diplomimit ishte edhe Kryebashkiaku Benet Beci. “Nga sot nis një kapitull i ri i jetës tuaj”, u shpreh ai.
Që prej themelimit në vitin 1957, nga Universiteti i Shkodrës janë diplomuar 48 317 studentë. Ai ofron sot 68 programe studimi në tre ciklet e tij: Bachelor, Master dhe Doktoraturë, me 6 fakultete në përbërje.
