Fotografi i mirënjohur nga Kosova, Fahredin Spahija çeli ekspozitën personale me fotografi bardhë e zi në Sallën Ekspozitore të Bibliotekës “Marin Barleti”. E titulluar “Shpirti Dervish”, ekspozita përmban një cikël portretesh të larmishme ku reflektohet bota mistike e këtij orientimi shpirtëror.

Me syrin vigjilent dhe aparatin fotografik, autori kërkon të depërtojë në mënyrë të veçantë tek të rinjtë. Përmes nxjerrjes në pah të ritualeve, ai synon t’i njohë ata me një pjesë të shpirtit dervish.

Ekspozita e organizuar në Bibliotekën publike u mbështet nga Bashkia Shkodër dhe Instituti “Yunus Emre”. Ajo u përshëndet nga shkrimtarë dhe poetë të qytetit. Për të zgjuar dimensionin mistik të saj, aktorët e teatrit “Migjeni”, Merita Smaja dhe Astrit Fani interpretuan pjesë nga sofizmi. Për pjesëmarrësit u dhurua edhe libri album me portretet e kësaj ekspozite.