Një ditë pas lumnimit të dy martirëve: Atë Luigj Palaj (Paliq) dhe Dom Gjon Gazullit, në Katedralen “Shën Shtjefni” u mbajt Mesha e Falenderimit. Ajo u udhëhoq nga Arqipeshkëvi, Imzot Angelo Massafra.

Pas përfundimit të meshës, besimtarët morën pjesë në procesionin drejt Varrezave të Rrmajit shoqëruar nga Banda Frymore e qytetit italian të Puglia-s.

Në vendin ku më parë prehej trupi i Dom Gjon Gazullit, u inaugurua monumenti në nder të martirit që dha jetën për fe e atdhe.

Nga Selia e Shenjtë, Papa Françesku në predikimin e së dielës u ndal edhe në Lumnimin e dy Martirëve shqiptarë përgjatë Lutjes Ëngjulli i Zotit në Vatikan.

“Dje në Shkodër u lumnuan dy martirët shqiptarë Atë Luigj Paliq, meshtar i Urdhërit të Fretërve Minorë dhe Dom Gjon Gazullin, meshtar dioqezan, dy viktima të persekucionit të egër diktatorial ndaj fesë e besimit. Shembulli i këtyre martirëve forcoftë çdo të krishterë që në kohën e sotme janë akoma të persekutuar për shkak të fesë”, u shpreh ndër të tjera Papa Françesku.

Pas 38 martirëve të epokës së komunizmit, që u shpallën të Lumë në vitin 2016, me At Luigj Paliq e Dom Gjon Gazullin numri i martirëve të Lumë bëhet 40.