Mediat sociale kanë ndikimin e tyre pozitiv tek të rinjtë sa i përket pasionit për të shkruar. Ata nxisin veçanarisht dëshirën për të krijuar poezi. 

“Kryesisht mediat sociale e kanë nxitur interesin e të rinjve për të qenë në fokus me poezi kryesisht ku ata e shprehin herë pas here këtë aspekt”, shprehet shkrimtari Suad Arilla.

“Sot është jashtë mode shkrimi i letrave të dikurshme ose atij ditarit që pasqyronte një botë emocionale sepse njerëzit po bëhen shumë “mekanikë. Ata kryejnë funksionet vetëm për përfitimet e çastit dhe më pas ndjenja zhduket me një proces fare të shkurtër”, shprehet poetja Orjeta Dushi.

Rrjetet sociale krijojnë modele të reja, por kjo formë e letërsisë nuk është e njëjtë me atë tradicionale.

“Letërsia e ne të rinjve është një letërsi që përshkruan peizazhin, emocionin pra është një letërsi që kërkon të krijojë fondin e arkivës së vet deri në një pjekuri stilistike”, shton më tej Orjeta Dushi.

“Duhet të kuptojmë dhe bëjmë një ndarje në mes letërsisë së rrjeteve sociale dhe letërsisë që duhet shkruar në mënyrë që të dalim tek ajo forma e vërtetë apo thellësia e letërsisë dhe përcjellja e mesazheve ashtu siç duhet”, thotë shkrimtari Suad Arilla.

Aktivitetet letrare gjithashtu nxisin dëshirën për të shkruar duke ndikuar pozitivisht tek të rinjtë. Për fatin e mirë në Shkodër zhvillohen disa të tilla që i stimulojnë ata në aftësitë e tyre krijuese.