Flokët e para të dëborës në këtë fund vjeshte dhe në prag të stinës së dimrit kanë mbuluar qytetin alpin të Pukës duke ofruar një peizazh mahnitës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga ky qytet verior i Shqipërisë, që është kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik në çdo stinë.

Me uljen e temperaturave dëbora e parë ka nisur të bjerë në qytetet veriore të vendit si dhe në juglindje.

Liqeni i qytetit të Pukës është sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.

Puka, në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana, mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra. Kjo qytezë alpine mbart në vete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj.