Nga Gëzim Puka
Miku im Agron Istrefi me solli disa kujtime me vlerë për teatrin në USH në vitet ’70, të cilat i përmblodha më poshtë.
“Nga datat 1-5 maj 1973, mbasi ishin ngritur grupet artistike në fakultete, u zhvilluan festivalet artistike me studentët. Vetë studentët kishin ndërtuar programe variete me këngë, valle, skeçe, parodi dhe orkestra. Shfaqjet zhvilloheshin tek Auditori 1, pasditeve.
Atë vit kupën e festivalit e mori dega e gjuhë-letërsisë. Pas mbylljes së kësaj veprimtarie Skënder Bilali, punonjës i administratës së atëhershme krijoi grupin artistik të Institutit të Lartë Pedagogjik. Ky grup do të jepte më pas një shfaqje variete.

Me konsolidimin e kësaj pune fillon edhe veprimtaria teatrale në këtë institucion. Në tetor të vitit 1973 po me nismën e Skënder Bilalit ngrihet trupa teatrore. Disa nga aktorwt e kësaj trupe ishin: Isuf Ujka (Bajzë – Shkodër), Nusret Mataj (Durrës), Anastas Naçe (Përmet), Osman Kozmaj (Shkodër), Agron Istrefi (Shkodër) etj.
Si prapavijë shërbenin edhe punonjës të tjerë të Institutit. Shfaqja e parë e kësaj trupe do të jepej me rastin e festave të Nëntorit, pikërisht komedia “Luani i shtëpisë”.

Nisur nga suksesi atëhershëm drejtoresha e Institutit, Dhora Lloja, jep idenë që trupa e teatrit studentor të japë shfaqje edhe jashtë rrethit. Më pas do të vihej në skenë një tjetër shfaqje, “Hijet zbresin nga malet” e Sheri Mitës.
Kjo shfaqje do të jepej edhe në Qytetin Studenti, Kamëz, Tiranë, Fier, Gjirokastër, Korçë, Pogradec dhe Elbasan. Sidomos në Korçë, trupa studentore u mirëprit edhe nga aktorët dhe regjisorët profesionistë të atij qyteti.

Për t’u dhuruar lule në skenë u ngjitën aktorët: Dhimitër dhe Dhorkë Orgocka, Stavri Shkurti. Shpenzimet e udhëtimeve mbuloheshin nga biletat që shisnin vetë studentët. Ata i administronin vetë fondet që gjeneroheshin nga shfaqjet.”
