Bashkia Shkodër ka rikthyer edhe njëherë tjetër në qendër të vëmendjes Sahatin e Inglizit. Me iniciativë të Kryetarit të Bashkisë Shkodër, në Kullën e Inglizit në qendër të qytetit është vendosur ora simbolike e këtij objekti të trashëgimisë kulturore.
Për specialistin e monumenteve të kulturës në Bashkinë Shkodër, Petrit Bilali, vendosja e orës aty ku i takon është një iniciativë për t’i kthyer këtij objekti rëndësinë që ka për qytetin.
Kulla e Inglizit, një ndërtesë e shek. XIX, e rikonstruktuar nga lordi anglez Padget kur u vendos në Shkodër. Kulla apo Sahati i Inglizit siç njihet gjerësisht, ku në periudhën e regjimit komunist qe vendosur Muzeu Historik i Shkodrës, është një ndërtesë me pamjen e një kështjelle të periudhës së aristokracisë mesjetare në Europë e ndërtuar nga lordi anglez Paget në çerekun e fundit të shek. XIX. Nga pikëpamja ndërtimore përbëhet nga 16 dhoma aristokratike të mëdha. Më e madhja e ndërtuar me stil oriental.
