Sot do të shkruajmë për një artist shkodran që i ka dhënë shumë skenës dhe artit të këtij qyteti ndonëse vazhdon akoma ta pasurojë karrierën e vet artistike dhe e kemi fjalën për këngëtarin Leonard Guga. 

Leonardi ka lindur me 6 nëntor 1976 në Shkodër dhe talenti i tij vihet re që i vogël. Profesor Robert Prendushi, mësues i violinës në shkollën artistike “Prenkë Jakova” do të ishte njeriu që do ta spikaste talentin e tij për herë të parë duke bërë që Leonard Guga të niste mësimet fillore në këtë shkollë për instrumentin e pianos.

Gjithsesi ai do të shkëputej nga shkolla “Prenkë Jakova” pas vetëm 3 muajsh për t’i vazhduar mësimet fillore në një shkollë tjetër, atë të “11 Janari”-t ku qëndron aty deri në klasën e pestë. Në këtë vit ai do të rikthehej në shkollën artistike “Prenkë Jakova” dhe do të niste mësimet për instrumentin e fizarmonikës por duke mos qëndruar gjatë aty pasi sërish do t’i rikthehej shkollës “11 Janari”. 

Kur artisti ndiqte klasën e pestë do të fillonte të shfaqte dukshëm prirjet e tij artistike, kjo pasi ai do të fillonte mësimet e para për instrumentin e kitarës në shtëpinë e familjes Jakova nën kujdesin e profesor Çesk Jakovës.

Pas përfundimit të klasës së tetë artisti shkodran do t’i nënshtrohej konkursit për kanto në shkollën artistike “Prenkë Jakova”. Siç dihet gjerësisht ku në periudhën e adoloshencës zëri pëson transformime për shkak të rritjes dhe zhvillimit, edhe artistit i ndodh e njëjta gjë duke bërë që të kalonte në degën e kitarës me profesor Ferdinand Lleshin. 

Në vitin e tretë të gjimmazit ai do t’i nënshtrohet konkursit artistik të korit të katedrales duke fituar si bariton i parë dhe njëkohësisht duke vazhduar punën sistematike me mjeshtrin e korit Zef Çobën.

Gjatë kësaj kohe ai do të marrë disa mësime nga pedagogu i njohur Lukë Kaça ku mëson teknikën e interpretimit vokal. Ndërsa vijon puna voluminoze e mjeshtrit Zef Çoba me secilin prej koristëve, artisti shkodran nisë të spikasë në mënyrë të veçantë për pjesët solistike. Eksperienca në korin e katedrales përkrah emrave të njohur si: Enriketa Kuqani, Ferdinand Deda, Rita Ranko Dervishi, Mimoza Rama Rakaj që ishte njëkohësisht edhe mësuesja e tij e kantos do t’i vlente shumë në të ardhmen.

Gjatë kësaj kohe drejtuesi i korit krijon një këshill konsultativ artistik ku Leonard Guga përzgjidhet si element solistik për interpretim. Me talentin e tij dhe punën e drejtuesit, fillon të interpretojë pjesë solistike me karakter religjoz të kompozitorëve më të mëdhenj botërorë si: Panis Angelicus (Cesar Franck e Sylvester Wager), Ave Maria e Schubert-it, Mozart-it, Giuseppe Verdi-it etj. duke u evidentuar si interpretues i muzikës religjoze.

Artisti gjithashtu merr pjesë në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare me korin e kishës katedrale ku ky kor vlerësohet me çmime brenda dhe jashtë vendit. 

Mjeshtri i korit Zef Çoba do të krijonte shoqatën “Rozafa Expression” ku Leonard Guga do të vazhdonte të ishte pjesë përbërëse e korit dhe solistikave. Kjo shoqatë në bashkëpunim me organizatën kulturore “Creative City” si dhe me një nga mediat vizive organizojnë në periudhën shtator – tetor 2006 një kurs për këngëtarët në “Lulishten e Këngës dhe Këngëtarëve Shkodranë”. 

Në fundin e vitit 2006 artisti shkodran merr pjesë në jetën artistike të qytetit si dhe në disa prej eventeve artistike në vend si: “Oda Dibrane”, “Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare” në qytete të ndryshme ku vlerësohet si këngëtar për aftësitë e tij interpretative duke ruajtur me fanatizëm interpretimin origjinal të motiveve autoktone shqiptare dhe kryesisht shkodrane. 

Në shtator të vitit 2009 për herë të parë këngëtarët e Shkodrës dhe qendra kulturore “Pjetër Gaci” vlerësohen me çmimin e parë në “Festivalin Folklorik Kombëtar” të Gjirokastrës ku Leonard Guga do të spikaste në duet me artisten Enriketa Kuqani. 

Në vitet e mëvonshme Leonard Guga merr pjesë bindshëm në jetën artistike të qytetit dhe vendit me interpretime nga më të ndryshmet ku vlerësohet për cilësitë e tij vokale dhe interpretative. Gjithashtu merr pjesë në festivalet dhe aktivitetet e larmishme të zhvilluara në Kosovë ku vlerësohet edhe atje për interpretimin e këngës kosovare në lartësinë e duhur dhe madje rreshtohet nga kritikët e muzikës në Kosovë përkrah emrave të spikatur interpretë të këngës kosovare. 

Në gjysmën e vitit 2017 Leonard Guga emërohet si punonjës i teatrit “Migjeni” në sektorin e teknikës duke vazhduar të japë kontributin e tij si interpret në shfaqjet e organizuara nga ky institucion i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”. 

Duhet theksuar gjithashtu edhe fakti tjetër i rëndësishëm se artisti ka dhënë kontributin e tij për shumë vite (1999 – 2016) edhe si mësues i lëndës së edukimit muzikor në zonat përreth Shkodrës si dhe vazhdon të jetë pjesë aktive e jetës artistike të qytetit dhe më gjerë duke qënë pjesë e grupit të këngëtarëve të estradës profesioniste të teatrit “Migjeni”, pjesë e grupit të këngëtarëve popullorë të qendrës kulturore “Pjetër Gaci” që përfaqësojnë Shkodrën në të gjitha festivalet kombëtare e ndërkombëtare si dhe pjesë e këngëtarëve të Orkestrës Frymore të Bandës së qytetit si solist.