Data 4 nëntor shënon kremtimin e Meshës së Shenjtë ndër varrezat e Shkodrës, udhëhequr nga prifti Dom Simon Jubani. Kremtimi i kësaj Meshe, i vitit 1990, për Shqipërinë, shënoi fillimin e rënies së regjimit të diktaturës ateiste komuniste, hapjen e shtegut drejt rifitimit të lirisë qytetare e fetare dhe hapat e parë të një shoqërie demokratike në vend.

Prifti Dom Simon Jubani, njihet si një nga qytetarët dhe meshtarët shqiptarë, që ka vuajtur gjithë jetën, i persekutuar në burgjet komuniste, po edhe si ai që sfidoi regjimin e diktaturës ateiste e komuniste në emër të Zotit e të Atdheut.

Dom Simoni e sfidoi publikisht diktaturën ateiste komuniste, me aktin  e shenjtë të kremtimit të Eukaristisë – Meshës, akt ky të cilin regjimi e kishte ndaluar rreptësisht, duke menduar se do t’ua ndalonte besimin qytetarëve, për çka mbylli kisha e tempuj kulti, për çka vrau priftërinj, klerikë të feve të ndryshme dhe qytetarë besimtarë që besonin në Zot.

Po, Dom Simon Jubani e sfidoi regjimin diktatorial ateist me aktin më të shenjtë të krishterë, me kremtimin e Eukaristisë (Meshës) që sjell, kremton, përkujton e shpall praninë e Krishtit Zot në mesin e popullit të tij. Eukaristia përherë kujtoi e vazhdon të na kujtojë se e mira ngadhënjen mbi të keqen, drita mbi errësirën, dashuria mbi urrejtjen, ringjallja mbi vdekjen. Qe pikërisht Eukaristia e Shenjtë që kumtoi agimin e një epoke të re për shqiptarët.

Kështu, data e 4 nëntorit 1990, që mbeti e paharruar në mendjen dhe zemrën e shkodranëve e të të gjithë shqiptarëve, dëshmoi se populli shqiptar nuk e kishte harruar Zotin, nuk e kishte mohuar fenë e as vlerat më fisnike, edhe pas një gjysmë shekulli ateizmi e terrori shtetëror.

Atë ditë të 4 nëntorit 1990, një grup i vogël besimtarësh, ndërsa pastronin, nën një shi të imtë vjeshte, varret e të dashurve, të thyera e të përdhunuara, në prag të shkatërrimit të plotë, panë të mahnitur një meshtar që ngjitej në altarin e sajuar me një tryezë të thjeshtë, në kapelën e djegur të Varrezës së Shkodrës e që fillonte kremtimin e Meshës, ende nën diktaturë.