Biblioteka “Marin Barleti” organizoi një veprimtari ku në fokus ka nderimin e figurave të spikatura të letërsisë. Nga salla “Koliqi” ngriti siparin çmimi me të njëjtin emërtim, i mbështetur nga ana monetare nga një qytetar shkodran i diasporës. Ridvan Dibra u nderua me Çmimin “Koliqi” të Karrierës për kontributin e çmuar jetësor në krijimin dhe receptimin e letërsisë shqipe të pas viteve ‘90 ndërsa Andreas Dushi me Çmimin “Koliqi” për Shkrimtarin e Ri.

Drejtuesja e Bibliotekës, Ledia Dushi beson se ky çmim është pikënisja e një tradite që po nis të krijohet.
Të pranishëm ishin shkrimtarë dhe poetë, figura akademike dhe aktorë të teatrit “Migjeni”. Këta të fundit interpretuan me mjeshtëri pjesë nga krijimtaria e shkrimtarëve që u vlerësuan me Çmimin “Koliqi”.
