Biblioteka “Zoja e Shkodrës” bën pjesë në zinxhirin e bibliotekave të qytetit duke ndikuar në pasurimin e tij. Pesë vite më parë do të merrte jetë projekti i nisur në letër nga Famullia me të njëjtin emër. Nga dita në ditë e nga viti në vit, ajo do të pasurohej gjithnjë e më shumë falë kontributit të vullnetarëve si: Pjetër Logoreci, Violeta Volumi etj. 

Në kuadër të 5-vjetorit, kjo bibliotekë promovoi në sallën “Mikel Koliqi” figurën e ndritur të At Pjetër Meshkallës dhe krijimtarisë së tij përmes botimit të tre librave: “Lili ndër ferra”, “I drejti që rrnoi me dëshmue” dhe “Vepra letrare”.

Famullitari Dom Vlash Palaj, njëherazi drejtor i Bibliotekës “Zoja e Shkodrës” ndau copëza kujtimesh nga takimet me At Pjetër Meshkallën.

Veç kumtimeve për figurën e At Pjetër Meshkalla, një vlerë e kësaj mbrëmje ishte edhe interpretimi i Korit të famullisë nën drejtimin e mjeshtrit Zef Çoba duke krijuar tek të pranishmit emocione të bukura.