Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në një postim në rrjetet sociale përvojën transformuese të “Çoçja”, një mëngjesore e vjetër mes gërmadhash që është kthyer në një “Boutique Hotel” të veçantë në Shkodër. Duke e përshkruar si një ekspozitë arti të trashëgimisë së këtij qyteti, Rama thekson se Shkodra është bërë një destinacion i rëndësishëm turistik, që bashkon bukuritë e detit, liqenit dhe alpeve me ngjarjet e mëdha kulturore dhe festivalet.
Ky zhvillim i ka dhënë shtysë ekonomisë dhe jetës së banorëve të Shkodrës, me turizmin që po luan një rol kyç në rigjallërimin e qytetit. Kryeministri Rama e përfundoi postimin e tij duke uruar të gjithë ndjekësit për një ditë të mbarë.
Sipërmarrësja e këtij hoteli, Endira Çoçja thotë se: “Bar restoranti ka qenë gërmadhë, shtëpi e vjetër e rënme krejt. Komplet e pa kuruar. Është dhe një metamorfozë, prej një gjëje e të shembur në një gjë të re. Shkodra ka potencial për turizëm, prandaj dhe menduam se përse mos të ofrojë një hotel pak më ndryshe se çfarë ka ofruar deri më tani Shkodra”.
Ndërkohë, që rrëfimeve në video i bashkohet edhe një turiste e huaj.
“Jam nga Florida, SHBA. Është hera e parë në Shqipëri. Shkodra ishte ndalesa e parë dhe kemi dëgjuar sa i bukur ishte qyteti, sa mikëpritës ishte. Dhe kur erdhëm e vërtetuam. Gjithçka këtu është shumë e bukur, rrugët, katedralja, xhamia, kalaja. Shërbimi është fantastik dhe unë mendoj se njerëzit janë pjesa ime më e preferuar e Shkodrës. Dhe po, ne mendojmë të rikthehemi sërish këtu.”
Sipërmarrësja e “Boutique Hotel” në Shkodër thotë se dyqani i suvenireve, sapunëve dhe parfumeve dhe shumë produkte të tjera që janë autentike shkodrane, nga rakia, te sixhadet i prodhojnë gratë e Shkodrës. Hoteli është plot deri në fund të tetorit.
“Unë jam amerikan dhe jam shumë i kënaqur me hotelin në qendër të qytetit. Ka qetësi. Me sa kam kuptuar është një komunitet mjaft i bashkuar. Të gjithë në Shkodër janë shumë të gjindshëm, pra nëse ke humbur rrugën apo heziton për diçka, ti mund të pyesësh pa problem,” shton një tjetër turist nga Amerika.
Sipërmarrësja e këtij hoteli thotë se synon që të ruajë këtë standard turizmi, jo vetëm për sipërmarrjen e saj, por edhe për faktin se gjërat janë duke u përmirësuar shumë dhe e ardhmja duket shumë premtuese.
