Shkodra është një nga qytetet e pasura me monumente të trashëgimisë kulturore dhe ato janë ndër më të preferuarit e turistëve. Padyshim parku arkeologjik i Shkodrës mbetet më i vizituari në vend ndërsa këtë vit Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore e gjen atë me një rritje prej 40% të vizitorëve më shumë se vitin e kaluar.

Veç kalasë “Rozafa”, Shkodra ofron edhe pika të tjera të interesit kulturor. Rritja e numrit të vizitorëve lidhet me një vëmendje më të madhe që po i kushtohet monumenteve të trashëgimisë kulturore sa i përket promovimit të tyre edhe përmes zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme.

Dokumentari “Reliket që flasin…”, i shfaqur së fundmi në Kinema “Republika” ishte një tregues domethënës për pasuritë kulturore që disponojnë qytetarët dhe familjet e vjetra të Shkodrës duke dëshmuar raportin e këtij qyteti me historinë.