Aktivitetet për Ditët Europiane të Trashëgimisë të organizuara nga Muzeu i Fotografisë “Marubi” u zhvendosën në Kinema “Republika”. Kjo e fundit hapi dyert për filmin dokumentar “Marubi, la memoria della luce”, realizuar nga regjisori Tomas Sheridan.
Materiali kushtuar Marubit dhe Dritëshkronjës së tij pati premierën në qershor në Piacenza, aty ku u lind pionieri i fotografisë ndërsa Shkodra u bë ndalesa e radhës. Dokumentari i shërben njohjes akoma më shumë të historisë së Marubit.
Veprimtaritë e Muzeut “Marubi” përgjatë këtyre ditëve kanë patur si qëllim edukimin e brezave me një pjesë të rëndësishme të historisë siç është ajo e fotografisë. Dokumentari kushtuar Pjetër Marubit pritet që së shpejti të pasohet nga një botim kushtuar figurës së tij dhe historisë që ai krijoi në vendin tonë.
