Një burrë me fytyrë të mbuluar me thes, në një kamp burgimi në Irakun e jugut, përpiqet të qetësojë djalin e tij 4-vjeçar. Ata të dy janë arrestuar nga ushtarët amerikanë. Djali i vogël është i tmerruar dhe po pushon në krahët e të atit, i cili njërën dorë e mban në ballin e vogëlushit dhe tjetrën përreth belit të tij. Ata janë të rrethuar nga shkretëtira. Teli i ngatërruar me gjëmba i kampit, i shërben skenës si kornizë dhe e mbush atë me mizori.
Fotografia u shkrep me 31 mars 2003, pak ditë pas pushtimit të Irakut nga një koalicion shumëkombësh që kishte synim rrëzimin e Saddam Hussein-it. Fotografi francez Jean-Marc Bouju ndodhej në Irak, i caktuar nga “Associated Press” dhe për dy muaj raportonte operacionet ushtarake duke ndjekur Divizionin 101 të luftës ajrore të ushtrisë amerikane.
Ai ishte në një kamp pranë An-Najafit në jug të Badgadit, kur qe dëshmitar i kësaj skene. Fëmija kishte filluar të qante dhe të bërtiste kur kishte parë babanë e tij të prangosur dhe me kokë të mbuluar. Ushtarët amerikanë pretendonin se e përdornin këtë praktikë për të ç’orientuar të burgosurit dhe për të mbrojtur identitetin e tyre. Më vonë, njëri prej ushtarëve ia hoqi prangat duke i mundësuar mbajtjen e fëmijës në krahë.
Bouju nuk mundi ta mësonte ndonjëherë emrin e të burgosurit apo të dinte për fatin e tij dhe të të birit. Forca shprehëse e kësaj fotoje qëndron në thjeshtësinë e saj: disa elemente që përqendrohen në gjestin emocional të babait, në kontrast me “teatrin” mizor të luftës. Ajo fitoi çmimin “Fotoja e Vitit” më 2004-ën nga “World Press”. Që atëherë është shndërruar në simbol të vuajtjes së fëmijëve të përfshirë në konflikte të armatosura në shumë vende të botës.

