Qendra Rinore Atelie në Shkodër në vazhdën e promovimit të të rinjve të talentuar u ndal tek njëra prej tyre. Ajo është Evi dhe pasioni i saj i veçantë është aktrimi.
🏷️EVIS MURIQI
🎭 Evis nisi pasionin e saj për aktrimin në teatrin “Migjeni” që në moshën 16-vjeçare, gjatë Festivalit të Shkollave të Mesme me shfaqjen “A ta laç” të Ernest Koliqit, nën regjinë e Fritz Selmanit, ku u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë”. Kjo arritje nuk ishte thjesht një fitore personale, por një përfaqësim i denjë i teatrit “Migjeni” dhe qytetit të Shkodrës më pas edhe në Festivalin Kombëtar Rinor në Berat, duke e forcuar praninë e saj në skenën artistike të vendit. Një vit më vonë, Evis mori sërish pjesë në të njëjtin festival me shfaqjen “Kati i 15”, ku përsëri u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë protagoniste”. Po atë vit, ajo përfaqësoi qytetin e saj në skenën ndërkombëtare në Corinth të Greqisë, si pjesë e shfaqjes “Epitafi i Perikliut”, nën regjinë e Enke Fezollarit.
💫 Pasioni i saj për aktrimin nuk është kufizuar vetëm në rolet e saj në skenë, por edhe në angazhimin jashtë saj. Ajo ka qenë një nga organizatorët e Karnevaleve të Shkodrës dhe ka marrë pjesë në projekte vullnetare rinore, si shfaqja “Shfaqja që shkon keq”, përsëri nën regjinë e Fritz Selmanit dhe Gerti Palalit, një eksperiencë që e përshkruan si fantastike.Aktualisht, Evis është duke punuar për shfaqjen e radhës, “Opera për tre grosh”, nën regjinë e Kuniaki Idas.
🎬 Ndërthurja e pasionit të saj për aktrimin me përkushtimin e saj të palodhur ka qenë çelësi për të kapërcyer çdo sfidë që i ka dalë përpara. Pasioni për këtë art është për të një burim frymëzimi dhe kënaqësie, dhe sakrificat që ajo ka bërë përgjatë viteve janë dëshmi e besimit të saj se me punë dhe dashuri për atë që bën, çdo ëndërr mund të realizohet.







