Gjimnastika është një nga sportet elitare të Shkodrës. Ndër vite, ky qytet ka nxjerrë sa e sa gjimnastë që kanë spikatur me cilësitë dhe performancat e tyre. Shkodra e ruan këtë traditë të bukur edhe sot e kësaj dite. Në nderim të punës së mirë dhe rezultateteve të arritura u zhvillua në shkollën “Edith Durham” takimi me personalitete të këtij sporti si dhe trajnerë e të rinj që angazhohen në këtë sport.
Latif Kashi, një emër i nderuar i gjimnastikës shkodrane por edhe të tjerë si: Vaselin Matanoviç në rolin e Presidentit të Klubit të Gjimnastikës “Vllaznia”, trajnerët Shpresa Salja dhe Izmir Kashi ishin të ftuar në panel për të ndarë përvojën e tyre pozitive me të rinjtë shkodranë të gjimnastikës. Falë përkushtimit të tyre, sukseset kanë qenë të shumta ndërkohë edhe synimet mbeten të larta për të ardhmen.
Të pranishëm në takim ishin po ashtu edhe veteranët e gjimnastikës shkodrane si: Greta Bojani, Bardha Bregu, Arshi Sula, Mustafë Ramja dhe Ismet Spada. Takimi i organizuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) u mbyll me performancat e gjimnastëve të vegjël shkodranë ndërkohë që seria e takimeve me personalitete nga të gjitha fushat do të vijojnë edhe përgjatë muajve në vazhdim.
