Artisti i Merituar, Bep Shiroka lindi në Shkodër në vitin 1933 dhe ndërroi jetë në vitin 2010. Fillimet e Bepit në teatër i përkasin pikturës e skenografisë, me 35 punime të tilla, i nderuar edhe me çmimin e parë për skenografinë e dramës “Lagjia e vorfën” e Fadil Paçramit, 1969. U dallua si aktor komik që në rini me grupet amatore të qytetit. U bë aktor me emër i Teatrit “Migjeni” që nga viti 1960 me rolin e Vel Sokolit në shfaqjen “Nora e Kelmendit”.

U shqua për lojën realiste e me vërtetësi në mjaft role të interpretuara prej tij, si Viktori tek drama “Histori irkutase” e Arbuzovit, ku shfaqi së pari dukshëm aftësitë e aktorit të planit dramatik. Ka realizuar në teatër mbi 100 role dramatike e komike. U dallua në shfaqjet “Cuca e maleve”, “Perkolgjinajt” dhe u afirmua më tej në rolin e Dashit tek drama “Fisheku në pajë”, ku mishëroi tipin e malësorit të ngarkuar me paragjykime, patriarkal e të zymtë në procesin e çlirimit shpirtëror.

Luajti edhe një seri rolesh të formatit të heroit, ku dallon figura e Gjergjit tek drama “Shpartallimi”, Bushit tek komedia “Luani i shtëpisë”, Vok Mirash Husit tek “Nora”, Rushitit tek “Baca i Gjetajve”, plaku 600-vjeçar tek “Ftesë nga larg” dhe Rozari tek “Putarkat e thata” të Stefan Çapalikut, Gabrielit tek “Ishulli i Shitenit” i Albri Brahushës, në rolin e inspektorit Gull në “Vizita e inspektorit”, duke patur aftësinë të ruajë me inteligjencë tensionin dramatik, pozitën ironike dhe forcën imponuese prej akuzuesi.

Me rolin e Trimit tek drama e Serafin Fankos “Çmurimi” arriti një prej niveleve më të larta të lojës së tij. Bep Shiroka ka luajtur edhe në 15 filma, ku spikati sidomos në rolet e Fanatikut tek “Çifti i lumtur”, xhandarit Vesel tek “Koncert në vitin ‘36”, Valiut tek “Flaka e maleve”, Bajraktarit tek “Besa e kuqe”, Maksutit tek “Historiani dhe kameleoni”. Aktrimi i tij është i pasur në përjetime të thella e në plane të larmishme interpretuese.

Galeria e karaktereve që krijoi mbi 40 vite lojë aktoreske erdhi duke u rritur në komunikim, në lëvizjet e artistit në rrafshe të ndryshme dramatike e komike, në logjikën e vlerësimit në marrëdhëniet me partnerët, në aktin e veprimit skenik. Luajti me sukses edhe në shumë role të dramaturgjisë së huaj si Frankun në dramën “Franku” të Dyrrematit, Grasienin tek “Me dyer të mbyllura” të Sartrit me regjisor Dominik Dolmjenë, 1996 etj. Bep Shiroka do të mbetet përherë një nga figurat e çmuara të Teatrit “Migjeni” e atij mbarëkombëtar.