Nga Robert Prennushi
71 vite ma parë, me 23 shtator 1943, në moshën 23 vjeçare, u vra nga bombardimet në Firencë, në shtëpinë ku studjonte e po punonte, studenti i konservatorit Gjon Kolë Kujxhija. Me thanë të drejtën kjo ditë e sotmja, pra 23 shtator i vitit 2024, po kalonte si të gjitha ditët e kësaj fillimvjeshte, por nji mëdyshje që filloi në mengjes e u përforcue gjatë gjithë ditës, më bani të rishkruej gjana edhe të thana ma parë. Por edhe të reja. E vetmja gja që kemi në dorë asht të themi atë që mendojmë.
Gozhda, mëdyshja, moskuptimi që më ka shqetësue gjithnji, por ma shumë sot, ishte ma shumë nji pyetje: Pse ndodhë që Gjon Kolë Kujxhija, etnomuzikologu i parë e i shquem shqiptar (do të kalonin 40 vite të tjera që të kishim një vepër të tillë me kaq kerkesa shkencore), NUK KA ASNJI NJOHJE ZYRTARE NGA ORGNAET SHTETNORE E AKADEMIKE, siç kanë të gjithë ata që kanë kontribute të shqueme në fushat e tyne!? Pse ndodhë kështu edhe me mësuesin e tij, kompozitorin e pedagogun, At Martin Gjoka, autor, ndër të tjera dhe i nji opere e nji sinfonie, nji shekull ma parë!?
23 shtatori na trishton pse i riu i talentuem e andrrimtar, Gjon Kolë Kujxhija vdiq në mënyrë tragjike, kur kishte vetëm pak ma shumë se nji muej që kishte botue veprën VALLE KOMBËTARE (CORI NAZIONALI ALBANESI), Vol. I, me nëntitull DASËM SHKODRANE (NOZZE SCUTARINA). Kerkonte me modesti në fund të veprës, që muzikantët të ipnin mendimet e tyne për përmirësimin e saj.
“Vepra e Kujxhisë do të ishte vetëm vëllimi i parë i nji vepre që ai kishte në mend ta vazhdonte me viset e tjera të Shqipnisë”, do të shkruente E. Koliqi në artikullin “Nji krue melodie që u tha”. Çfarë kishte shkrue Gjon Kujxhia, ai djalosh i talentuem e shumë andrrimtar, nxanës i dejë i kompozitorit At Martin Gjoka dhe i “muzikantit të vlertë”, At Benardin Palaj, që e kishin drejtue e nxitë për të shkrue atë vepër?
Vepra e tij e botueme në pak kopje bani që, edhe në atë vit të vështirë lufte që pasoi, pra në vitin 1943-44, të shkruhen disa artikuj shumë vlerësues për atë. Shkroi Injac Zambuti, Bik Pepa, Pjerin Bushati, Kolë Ashta, Mustafa Krantja. Vetë kompozitori i madh Zandonai e vlerësoi këte përmbledhje folklorike kaq të pasun “sa tue shfrytëzue ate, mund të ndertohej nji muzikë kombëtare e kultivueme”.
Kujxhija kishte zbulue rranjët e muzikës sonë të lashtë dhe tek Vallet e Dasmës shkodrane që mblodhi, ai hodhi tezen se ajo ishte muzika jonë e përjudhës paraosmane. Prandaj mbi ato duhet zhvillue muzika jonë e kultivueme.
Por Lufta e mbas mbaslufta e la në hesthje, jo vetëm në gati gjysëm shekullin e diktaturës, por edhe mbas “tranzicionit”.
Çka ishte ajo vepër me fat tragjik, si edhe vetë autori? Ç’vlera kishte ajo që e bani prof. Sokol Shupon, me 2010, ta ribotojë ate, tue i kerkue të falun autorit?
Shkruen Shupo: “Duhet t’i kerkojmë të falur sidomos, sepse fare pa shkak, për pothuaj 60 vjet me radhë ajo vepër e botuar me të ardhurat e tij modeste, prej së cilës në Shqipëri arriten të vinin fare pak kopje, u la në harresë, sikur të mos kishte qenë kurrë. U “fsheh” qellimisht dhe u mbulua me zell prej pezhishkave në skutat e errëta të ndërgjegjës së marinangave të pseodoshkencës aq sa edhe sot vazhdon të veshtrohet akoma me dashakeqësi, me mendjelehtësi të papërligjur, “si kontribut modest”. Nuk e kuptuam edhe Koliqin kur shkruente: “Muzika, për te, s’ishte vetëm mjet argëtimi, por mënyrë për të depertue në thellësitë e substancës ethnike, flatër me u ngjitë kah sferat e epëra të idealeve njerëzore, flakë pastruese që fuqizon prirjet ma bujare të shpirtit.”
E me gjithë këte thirrje e autokritikë, në vitin 2018, Prof. Eno Koço, ndjen nevojën ta ribotojë veprën, edhe me mendimet e tija prej studjuesi. Por këte herë edhe sëbashku me ajken e shkrimeve kritike për vlerën e kësaj vepre, që ishin shkrue, e që e vendosnin Kujxhinë në vendin e vet: si etnomuzikologun e parë shqiptar, për rigorozitetin shkencor të analizës së landës së mbledhun dhe për vlerën e madhe që kanë 52 Vallet e mbledhuna, që i takojnë, si krijim, përjudhës para osmane. Koço, në ribotimin e vepres, që përfshinë edhe Ritualin e Dasmës si etnografi, boton dhe 50 kangët e ehengut që kishte mbledhë Kujxhija, por jo studjue.
Sa vlerë kanë Vallet, mjafton të kujtojmë se vetëm njena prej këtyne Valleve, “Drandofillja e bardhë”, i ka sherbye kompozitorit Çesk Zadeja ta përdorë si laitmotiv të dashunisë së Mamicës me Palin në filmin “Skenderbeu” dhe si temë në kohën e parë të Simfonisë së tij n. 1.
Merita e madhe e Kujxhisë qëndron në faktin se ai e shihte mbledhjen me kriter dhe studimin e folklorit, si primare për zhvillimin e muzikës së kultivueme të nji vendi. Vallet e konteksti historik i ruejtjes së tyne, kujdesi për ribotimin e tyne së bashku me mendimet për këte trashigimi, janë edhe nji thirrje zemre për të gjithë e veçanërisht për muzikantët.
Por edhe për shtetarët: Sillni kryet e shihni se çfarë thesari e mrekullie na la nji djalosh 23 vjeçar, si peng dashunie për vendin e vet. Shfrytëzojeni këte thesar që na perfaqson denjësisht në kulturën e artin e familjes së madhe europiane.
Ndaj tue kujtue 23 shtatorin e vitit 1943, E. Koço shkruen: “U ndërprenë vitet studenteske të Gjonit, u ndërpre muza e tij djaloshare, për t’u zëvendsuar me veprën e tij të pashembullt, të papërsëritshme, unikale në historinë e muzikologjisë shqiptare.” Shkroi Prof. Dr. Vasil S. Tole.
Kujxhia mbetet unik në atë trashëgimi që la pas, megjithëse ende i ri. Niveli i analizave etnomuzikologjike mbetet model ashtu dhe transkriptimet e tij të valleve dhe të ahengut shkodran.
Modestisht kujtoj se në vepren time “Në kërkim të origjinës së Valleve e kangës shkodrane” (BERKL, 2023) ka mjaft material për të kuptue randësinë e vlerën e vepres së Kujxhisë. Shprehet për këte vepër Prof. E. Koço në Epilog: “ Studimi Robert Prennushit… është një vijim i denjë i punës titanike që kishte bërë Gjon Kujxhija…”.
Ndërsa Prof. Dr V. S. Tole: “Nga leximi i librit, qartazi shihet se prof. Prendushi është autori i duhur për një sfidë të tillë, e cila prej së paku 100 vitesh ka preokupuar studiuesit e muzikës dhe etnomuzikës, kryesisht shkodranë e jo vetëm, autorë me peshë kombëtare si Gjon Kujxhia, Kolë Gurashi, Ramadan Sokoli, Tonin Zadeja e Tonin Daija, Eno Koço e deri tek më i riu syresh Edmir Ballgjati.”
Dhe vazhdon: “Këto rradhë janë thjesht një ftesë e hapur për lexim për këtë libër kaq të veçantë që i kushtohet muzikës qytetare shkodrane, e shpallur nga Ministria e Kulturës si pjesë e “Listës Kombëtare të Kryeveprave Shpirtërore Kombëtare”, dhe që me të drejtë prof. Prennushi tërheq vëmendjen e institucioneve përkatëse që të shihet mundësia që kjo trashëgimi unike të bëhet pjesë e Listës Përfaqësuese të Dukurive Jomateriale që mbrohen nga UNESCO.
Ky 23 shtator na la. Si do na gjejë 23 shtatori i ardhshëm?
