Figura e Artistit të Merituar Sali Mani, rapsodit të lahutës e çiftelisë, u përkujtua “in memoriam” në Malësinë e Madhe, në 80-vjetorin e tij të lindjes. Personalitete të artit, shkencës dhe politikës nga vendi, Kosova dhe Mali i Zi ndoqën dokumentarin premierë “Artisti që i dha shpirt këngës”, realizuar nga gazetari i RTSH Tom Therçaj dhe mbështetur nga Shoqata e Diasporës në SHBA “Miqtë e Sali Manit”.

Krijimtaria e Sali Manit erdhi në këtë aktivitet përmes botimit të II të librit “Mbrapa lashë kangët e mia”. “Sali Mani nuk ishte një personalitet vetëm i Malësisë së Madhe por i gjithë kulturës kombëtare”, shprehet kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.

Bashkia e Malësisë së Madhe i dha këtij personaliteti titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes që iu dorëzua nipit të artistit.

Sali Mani do të krijonte një melos të larmishëm dhe origjinal duke ofruar për çdo tekst një melodi të veçantë. Në tërë gamën e krijimtarisë së tij do të spikaste ndjenja e fuqishme kombëtare.