Në Sallën “Kardinal Mikel Koliqi” u zhvillua aktiviteti promovues i librit “Ti po kalon mbi lumin Drin”, një dramë lirike e autorit Gjergj Kola, pjesë e diasporës shqiptare në Austri prej vitesh. Libri u botua në tre gjuhë: shqip, gjermanisht dhe italisht. Nga vetë titulli i tij, libri të çon te rrënjët shqiptare dhe këtë e bën lumi që i përshkon ato mes për mes. 

Kjo mbrëmje erdhi e pasur në elementë artistikë përmes interpretimeve poetike dhe muzikore nga mjeshtri Lukë Mllugja dhe artistet e reja: Jozefina Guri dhe Jozefina Lekaj.

Një moment i veçantë në këtë veprimtari ishte edhe vlerësimi me Medaljen e Artë të Diasporës “Carl Ritter Von Ghega” për personalitete të artit e të kulturës shqiptare si: Ledi Shamku, Dom Vlash Palaj, Dom Artur Jaku dhe gazetarin e RTSH, Marjo Gjini.

Të ardhurat nga libri “Ti po kalon mbi lumin Drin”, autori Gjergj Kola ka vendosur t’i dhurojë për projektin “Bazilika e Zojës së Këshillit të Mirë – Gjurmë Historie”.