Nga Ervis Krymbi
Trashëgimia natyrore është vlerë e veçantë dhe unikale e mjedisit e transmetuar brez pas brezi. Ajo përbëhet nga gjithçka që na rrethon, objekte, habitate, ekosisteme të veçanta me vlera të rralla e unikale.
Pa asnjë dyshim, një nga shtyllat ku duhet të mbështetet industria shqiptare e turizmit është ajo e natyrës.
Trashëgimia natyrore e Shqipërisë është një nga pikat e saj më të forta, me një produkt unik që e bën atë tërheqës. Në ndryshim nga vendet e tjera, Shqipëria i ka këto vlera natyrore shumë të arritshme. Kjo për shkak të larmisë së peizazheve në një sipërfaqe fare të vogël.
Shqipëria është një mozaik kompleks i peizazheve, kulturave dhe territoreve, të gjitha të ndërlidhura dhe të bazuara në një bashkëveprim të ekuilibruar të njeriut me natyrën. Një ekuilibër i tillë i brishtë është sfiduar nga kërcënime serioze, siç janë ndërhyrjet pa kriter të njeriut në zona të caktuara, rreziqet natyrore të shtuara apo ndryshimet klimatike.
Shqipëria mbart një larmi të madhe të formave të relievit, peizazheve dhe habitateve natyrore që karakterizojnë vendin.
Parqe Kombëtare:
Alpet Shqiptare janë një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare, me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike. Ato përbëjnë krahinën më malore dhe interesante të vendit tonë dhe na radhitin ndër vendet e pakta të Evropës me Alpe. Këtu ndodhen dhe shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2,000 m mbi nivelin e detit, Jezerca (2,694 m), Korabi (2,751 m).
Lumi Vjosa në Shqipëri, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, i shpallur “Park Kombëtar” me vendim nga Qeveria Shqiptare, duke u bërë Parku i parë Kombëtar i një Lumi të Egër në Evropë. Në të ardhmen, Vjosa do të ruhet si një lum natyror, me rrjedhje të lirë. Vjosa dhe degët e saj kryesore rrjedhin lirshëm për mbi 400 km, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri.
Parku Kombëtar Divjakë-Karvasta: Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim. Ai është kompleksi ligatinor më i madh jo-bregdetar në Shqipëri, i përbërë nga katër lagunat (Karavasta, Godullat, Godullat e Pishës, Spiaxho) me një sipërfaqe prej afro 5.000 hektarësh.
Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.
Parku Kombëtar i Dajtit është vendosur 26 km në lindje të Tiranës. Ai zë një sipërfaqe prej 3,300 ha të rrafshnaltës së Dajtit. Ky park tërheq shumë vizitorë dhe është një vend i përshtatshëm për piknik familjar, sporte, lojëra si dhe aktivitete të tjera interesante.
Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë –Ohër, e para rezervë biosfere ndërkufitare Shqipëri-Maqedoni e Veriut, që iu bashkua rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës dhe katër ligatina të kategorisë ndërkombëtare Ramsar:Laguna Karavasta-Pisha e Divjakës, Liqeni i Shkodrës-lumi Buna; kanali i Cukës –Butrint-Kepi i Stilit dhe kompleksi natyror i liqeneve të Prespave, me sipërfaqje të përgjithshme 98180 ha.
Peizazhe të mbrojtura:
Lumi Buna është një nga bukuritë natyrore më të veçanta në pjesën veri-perëndimore të Shqipërisë. Është shpallur “Peizazh i Mbrojtur”, Kategoria e V. Është pjesë e rrjetit EMERALD dhe IBA. Në sipërfaqen e peizazhit të mbrojtur përfshihen 40km gjatësi të Lumit Buna dhe 8 km të Lumit Drin. Përfshin lumin Bunë dhe zonën bregdetare-ligatinore të Velipojës. Ndodhet në fushën e Nënshkodrës, pjesën jugore të gjithë Ultësirës së Shkodrës. Zona e mbrojtur përfshin pjesën jugore të Grykëderdhjes së lumit Buna, i vetmi lumë fushor që buron nga liqeni i Shkodrës.
Liqeni i Pogradecit, një vend që duket si përrallë në çdo stinë dhe një nga pasuritë më të mëdha e të veçanta që Shqipëria ka. Përfshin trevën përreth liqenit të Ohrit, brenda kufirit shtetëror me Maqedoninë e Veriut. Dallohet për larminë e theksuar të peizazheve, ekosistemeve dhe kontrasteve natyrore. Në përbërje të tij janë: Liqeni i Ohrit (sit i trashëgimisë natyrore botërore), gropa e Pogradecit, pragu i Çërravës, Mali i Thatë dhe pjesa lindore e Malësisë së Mokrës.
Turizmi është një fakt i pakthyeshëm shoqëror, njerëzor, ekonomik dhe kulturor. Lidhja e tij me trashëgiminë natyrore është në rritje për shkak të kushteve tashmë të njohura të zhvillimit të këtij aktiviteti. Duke parë perspektivën, në kontekstin e një fenomeni në zgjerim që mund të ketë pasoja, turizmi duket të jetë një prej fenomeneve që me shumë gjasë do të ndikojë në mënyrë domethënëse tek mjedisi natyror në përgjithësi. Në mënyrë që ky ndikim të jetë i përballueshëm, ai duhet të studiohet me kujdes, dhe në çdo nivel të tij duhet të trajtohet përmes politikave të bashkërenduara dhe efektive.
Menaxhimi solid është faktor kyç për mbrojtjen, promovimin dhe bartjen e suksesshme të trashëgimisë natyrore tek gjeneratat e ardhshme.




























